Misteri i armës së Strazimirit, policia: Dorëzoi pistoletë tjetër

01/04/2016 00:00

Policia ka dorëzuar në prokurori deklaratën e një shtetasi, i cili  ka dëshmuar se arma që mbante deputeti Gent Strazimiri në brez ditën e protestës së opozitës tek liqeni është një pistoletë dhuruar prej tij.

Fillimisht të dhënat janë publikuar në rrjetin social Facebook, në të cilin shtetasi me emrin Pëllumb Nili shprehet se arma që mbante Strazimiri në protestë është një pistoletë e tipit “Heckler Koch”, e dhuruar prej tij.

Kjo gjë ka shtuar dyshimet e policisë, e cila e ka marrë në pyetje këtë shtetas që ka deklaruar se u kishte dhuruar dhjetë pistoleta disa shtetasve, mes tyre edhe një deputetit demokrat.

Policia pretendon në materialet e referuara në prokurori se, arma që kishte Strazimiri nuk është arma që ai dorëzoi në polici, për të cilën ai kishte shkelur afatet e dorëzimit, por një armë tjetër.

Këto të dhëna i referohen prokurorisë nga policia, që këmbëngul jo vetëm hetimin e deputetit për armëmbajtje pa leje, por edhe për pranim dhurate.

Aktualisht në Prokurorinë e Përgjithshme për protestën tek Parku i Liqenit janë kallëzuar nëntë deputetë demokratë, që të gjithë për “kundërshtim të policisë”, “shkatërrim prone” dhe “tubim të paligjshëm”. Përpos këtyre veprave, deputeti Strazimiri akuzohet edhe për “armëmbajtje pa leje”. 

Top Channel