Ligji për RTSH-në, PD vlerëson Nishanin: Shumica të mos e votojë me inat

01/04/2016 17:55

Kryetari i Komisionit parlamentar të medias, Genc Pollo, në një deklaratë për mediat ka falenderuar presidentin Nishani për kthimin mbrapsht të ligjit për Radio Televizionin Shqiptar.

“Do të doja të falenderoja presidentin e Republikës i cili, duke dëgjuar zërin e opinionit publik, zërin e Unionit të Gazetarëve, zërin e 156 firmëtarëve të peticionit, zërin e opozitës dhe së fundmi, por jo nga rëndësia, zërin e Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian, në ushtrimin e duhur të kompetencës kushtetuese e ktheu në Kuvend për rishqyrtim  amendimin e njeanshëm të ligjit të medias për Radio Televizionin Shqiptar”, ka deklaruar Pollo.

Ai ka theksuar se, nuk duhet të harrojmë se, “ishte PS-ja e Ramës në opozitë që në vitin 2012 vuri si kusht për konsensusin ndaj këtij ligji shumicën e cilësuar në Këshillin Drejtues të RTSH për emërimin e drejtorit të përgjithshëm”. “Mazhoranza e PD asokohe e pranoi kushtin e opozitës dhe e votoi kështu ligjin”, ka nënvizuar Pollo.

Sot, ka vijuar ai, mes dy kandidatëve të përzgjedhur nga Këshilli Drejtues, “që të dy me jetë aktive politike në PS prej 25 vjetësh”, si shenjë kompromisi e bashkëpunimi, anëtarët nga opozita përkrahin njërin prej tyre.

“Por jo detyrimisht mikun familjar të Edi Ramës. Ndryshimi i ligjit ad hominem ishte veprim shumë i  gabuar i mazhorancës PS-LSI. Uroj që mazhoranca të reflektojë e të mos votojë me nxitim e me inat për ligjin e RTSH”, ka shtuar Pollo, që mes të tjerash ka falenderuar edhe gazetarët dhe PE-në.

Top Channel