Hungari, qeveria “Orban”: Në Europë ka rreth 900 zona ku shtetet nuk ndërhyjnë dot

01/04/2016 00:00

Londra, Parisi, Stokholmi dhe Berlini janë mes shumë qyteteve europiane, që kanë rreth 900 zona me popullsi të madhe emigrantësh, ku autoriteteti i vendeve pritëse nuk ekziston.

Kështu deklaroi Qeveria e Hungarisë në një faqe të re interneti, që është krijuar për të grumbulluar mbështetje kundër skemës së BE-së për të shpërndarë emigrantët në Europë. Sipas Hungarisë, në këto zona “off limits”, autoritetet nuk kanë asnjë kontroll mbi banorët.

Në komunikatë shkruhet gjithashtu se, në këto zona me numër të madh emigrantësh, normat e shoqërisë mikpritëse thuasje nuk ekzistojnë. I pyetur për burimin e informacionit, zëdhënësi i Qeverisë hungareze, Zoltan Kovacs deklaroi për “AFP”-në se, ato vijnë nga të dhëna që janë publike në internet, por pa dhënë detaje të tjera.

Në faqen e re të internetit, që është hapur nga qeveria para referendumit për kuotat e BE-së, është gjithashtu edhe një orë që tregon se, çdo 12 sekonda, një emigrant hyn në Europë. Aty shkruhet se, kuotat e detyrueshme rrisin rrezikun e terrorizmit në Europë dhe kërcënojnë kulturën vendase.

“Emigrantët ilegalë kalojnë kufijtë pa asnjë kontroll, ndërsa ne nuk mund të dimë nëse mes tyre ka apo jo terroristë të infiltruar”, shkruhet në komunikatë. Qeveria hungareze e kryeministrit Viktor Orban do të organizojë referendumin që do të mbahet në gjysmën e dytë të vitit për të kundërshtuar kuotat e BE-së dhe sondazhet sugjerojnë se, hungarezët do të mbështesin qeverinë.

Por, ajo që vlen për t’u theksuar është se, BE apo anëtarët e tij ende nuk kanë reaguar ndaj komenteve të qeverisë hungareze se, në Europë ka zona ku shteti nuk hyn dot. Kohë më parë, pretendenti republikan për kandidaturën presidenciale, amerikani Donald Trump tha të njëjtën gjë dhe reagimi ndaj tij ishte mjaft i ashpër.

Top Channel