Bien sërish remitancat, shkak kriza greke dhe stanjacioni italian

01/04/2016 00:00

Gjysma e dytë e vitit 2015 ka shënuar një tjetër tkurrje të fortë të të ardhuarve nga emigrantët, të cilët janë burimi kryesor për jetesën e dhjetra-mijëra familjeve, duke rënë me 10.5  përqind.

Sipas Bankës së Shqipërisë, shkak ka qenë goditja që mori ekonomia greke pas thellimit të krizës verën e vitit të kaluar si dhe rënia e vazhdueshme edhe e ekonomisë italiane, dy vendet ku janë përqendruar emigrantët shqiptarë.

Kriza greke dhe ngadalësimi i ekonomisë italiane në gjysmën e dytë të 2015-ës kanë dhënë ndikim të menjëherëshëm tek dërgesat e emigrantëve. Të dhënat e fundit nga Banka e Shqipërisë tregojnë se në tremujorin e katërt të vitit të kaluar, transfertat që emigrantët dërguan tek familjet ishin 10.5 përqind më të ulëta se e njëjta periudhë e një viti më parë.  Ky është tremujori i dytë me radhë që transfertat shënojnë ulje. 

Të ardhurat e emigrantëve u rritën me 21 përqind në gjysmën e parë të vitit 2015 duke dhënë shpresa se familjet që përfitojnë nga to do të kishin një vit më të mirë financiar. Por tendenca pozitive u përmbys menjehërë pas thellimit të krizës greke në qershor, kur vendi fqinj rrezikoi daljen nga Euro.

Si rezultat, dërgesat ranë me 15 përqind në tremujorin e tretë dhe 10.5 përqind në atë të fundit. Veç rikthimit të Greqisë në recesion, gjashtëmujori i dytë i vitit të kaluar shënoi përkeqësim thuajse në mbarë ekonominë e Eurozonës.

Ekonomia italiane, e cila përbën burimin tjetër kryesor të dërgesave për Shqipërinë gati u rikthye në stanjacion në tremujorin e katërt, me rritje ekonomike të papërfillshme vetëm 0.1 përqind.

Dërgesat nga jashtë janë një burim i rëndësishëm për dhjetëra mijë familje në Shqipëri. Ato arritën rekordin në vitin 2007, kur Shqipëria përfitoi rreth 1 miliardë euro remitanca. Por menjëherë sapo ekonomia europiane u përfshi nga kriza dërgesat filluan të binin me shpejtësi dhe aktualisht luhaten nga 500 deri në 600 milionë euro në vit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA