Rama-Bashës: Cila është përgjigjja e ftesës për dialog?

31/03/2016 00:00

Letrës së kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, që ishte në kundërpërgjigje të asaj të dërguar më herët gjatë ditës nga kryeministri Rama për kreun e opozitës, ky i fundit i është përgjigjur sërish me anë të një statusi në rrjetin social Facebook.

Në mesazhin e mbrëmjes së të enjtes, teksa Basha ndodhej në emisionin “Top Story” të gazetarit Sokol Balla, kryeministri Rama i ka bashkëngjitur të dyja letrat e ditës, të cilat kanë qenë edhe në qendër të vëmendjes së mediave gjatë ditës së sotme.

Kryeministri Rama thotë se, “sapo i ka mbërritur mbi tavolinë përgjigjja e Bashës”, por për këtë përgjigje, kryeministri kërkon të dijë nga ndjekësit e tij nëse ka diçka që nuk shkon, ashtu sikurse edhe ai vet dyshon. “Letërshkruesi është përpjekur të thotë shumë gjëra njëherësh, por si përfundim nuk merret vesh, cila është në fakt përgjigjja e tij për ftesën”, shkruan kryeministri Rama.

“Po? Jo? Ndoshta po, ndoshta jo? As po, as jo? Apo thjesht asgjë?”, pyet kryeministri.

Në fund, Rama përsërit edhe njëherë gatishmërinë e qeverisë, apo thënë më saktë shumicës parlamentare, që dëshiron një forum dialogu konstruktiv dhe konkret, me axhendë çështjesh të rëna dakord 100%. “Nëse do të ndodhte, do të ishte shumë mirë, por edhe nëse s’ndodh, ne do të vazhdojmë me përkushtim punët tona në çdo drejtim për Shqipërinë e Gjeneratës Tjetër. Njerëzit na gjykojnë të gjithëve”, mbyll reagimin kryeministri Rama.

Top Channel