Leskaj dërgon veten në Kushtetuese, nënkryetarja e Kuvendit letër Metës

31/03/2016 00:00

Nënkryetarja e Kuvendit, Valentina Leskaj, e vendosur prej disa muajsh në qendër të sulmeve të opozitës, i ka kërkuar kryeparlamentarit Ilir Meta dërgimin e mandatit të saj për interpretim në Gjykatën Kushtetuese.

Leskaj, përmes një letre që duket se nuk është konsultuar me drejtuesit e partisë së saj, shprehu bindjen se veprimtaria e saj si deputete “është në përputhje të plotë me jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese”.

“I kam thënë, çojeni në Gjykatën Kushtetuese. Natyrisht, ata nuk kanë patur kurajon ta çojnë në Gjykatën Kushtetuese pasi nuk kanë të drejtë. Është i qartë vendimi Gjykatës Kushtetuese, i cili bën fjalë për dy raste komplet të ndryshme”, deklaroi Leskaj.

Me këtë letër, që i parapriu nisjes së seancës plenare, Leskaj përligji një prej disa kërkesave të opozitës, por nuk shuajti pakënaqësitë e demokratëve.

“Për aktet që në kemi sjellë në Parlament. Dy amendamentet tona janë në përputhje me marrëveshjen e 2014-s, ligjin dhe Kushtetutën. Janë në përputhje me ato që ne kërkojmë dhe jemi marrë vesh, të paktën formalisht, që t’i realizojmë. Dekriminalizimin, dhënien e së drejtës së opozitës që nëpërmjet komisioneve hetimore të kryejë funksionet e saja si opozitë. Kjo maxhorancë t’i kthejë legjitimitetin dhe deri sa t’ia kthjejë legjitimitetin edhe vetë Kushtetutës, përndryshe ne do të vazhdojmë të jemi nga kriza në krizë dhe fundi i krizave dihet”, deklaroi kreu i grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka.

Opozita bllokoi foltoren e Parlamentit sikurse javën e shkuar, por me një elementë të ri, një pankartë ku përcillej një mesazh për kryeministrin Rama, i cili për të dytën javë rresht nuk ishte në sallë.

Demokrati Flamur Noka, forca udhëheqëse e protesës në Parlament javën e shkuar, kësaj të enjteje preferoi të ishte paqësor duke mos goditur foltoren, por të ndante shqetësimet për situatën me deputetin Tom Doshi.

Ndërkohë, mungesa e deputetit Gent Strazimiri u përdor si argument debati nga nënkryetari grupit socialist Taulant Balla.

“Ku e keni Indiana Jonsin? Ku e keni Strazimirin e famshëm? Pse nuk e sillni Gent Strazimirin këtu? Çfarë dorëzoi dje Strazimiri, pistoletën apo këllëfin e celularit? Në rastin më të parë që një deputet i yni u akuzua për armëmbajtje pa leje, PS e përjashtoi nga radhët e veta. Pse nuk e përjashtoni ju Gent Strazimirin? Dhe vini pa pikë turpi dhe thoni jashtë kriminelët”, tha Balla.

FOTO GALERI
2/2

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta