Hahn: Miratoni reformën përpara pushimeve të verës!

31/03/2016 12:55

“Reforma në drejtësi duhet miratuar para pushimeve verore dhe duhet të nisë zbatimi sa më shpejt. Në tetor duam rezultate premtuese”.

Këto janë afatet e vëna nga komisioneri Johannes Hahn për mazhorancën dhe opozitën në Shqipëri në lidhje me reformën. Një ditë pas takimit me Ramën e Bashën, Hahn thotë se ishte shumë i qartë.

“Kjo ishte tema kryesore e dialogut të nivelit të lartë, që të bënim një lloj inventari të realizimit të 5 përparësive kryesore të Shqipërisë. Reforma në sistemin e drejtësisë është mu në zemër të përparësive të vendit. Dje isha i qartë dhe dua ta them edhe një herë qartë sot, se reforma në drejtësi është një element kyç dhe mendoj se ne na duhet një vendim përpara pushimit të verës, sepse nuk dua që të merret një pozicion jo vetëm për të bërë ndryshimin e Kushtetutës, por dhe një sërë ligjesh, sepse siç e thashë edhe dje, kjo është një reformë e paparë, e pakrahasueshme”, deklaroi Hahn.

Komisioneri i Zgjerimit në BE thotë se është e rëndësishme të përfshihet Komisioni i Venecias dhe të pyetet për opinionin e vet dhe është e rëndësishme që të bihet dakort dhe të respektohen vendimet apo sugjerimet e Komisionit të Venecias: “Edhe një herë dua t’i bëj thirrje të gjithëve që t’i qëndrojnë dhe respektojnë marrëveshjet në parim dhe të miratojnë reformën në drejtësi, pasi miratimi është hapi i parë, ndërkohë që hapi i dytë po aq sfidues është edhe zbatimi i reformës në drejtësi. Në mënyrë që të jepet një raport pozitiv në vjeshtë, ne na duhet të shohim pikësëpari zbatime premtuese të procesit të vlerësimit dhe për këtë arsye ne na duhet një vendim para shpërndarjes së Parlamentit në verë, në mënyrë që mund të shohim në tetor rezultatet dhe shpresoj që këto rezultate të jenë në drejtimin e duhur. Jam po aq optimist sa kolegia ime, zonja Mogherini”.

Top Channel