Gjykata e Krimeve të Luftës në Hagë i rrëzoi akuzat e ngritura ndaj ultranacionalistit serb, Vojislav Sheshel, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, gjatë luftrave të Ballkanit në vitet ’90.

Në vendimin e saj thuhet se, Shesheli nuk ka pasur përgjegjësi personale për krimet në fjalë. Vet ish-aleati i ngushtë i Slobodan Milosheviçit nuk i ka pranuar kurrë akuzat.

“Për arsyet e përmbledhura më sipër, kolegji penal vendos si më poshtë vijon: pikë së pari, për përndjekjen si një krim kundër njerëzit, shumica me përjashtim të gjyqtarit Lattanzi, deklaron të pandehurin si të pafajshëm”, lexonte vendimin gjykatësi.

Politikani radikal u lejua të shkonte në Beograd në 2014-n pas diagnostikimit me kancer. Ai nuk ishte i pranishëm në sallën e gjyqit, kur u dha vendimi, e madje refuzoi edhe ofertën e gjykatës për ta ndjekur atë përmes një lidhjeje video.

Vendimi nuk ishte i lehtë për Gjykatën e Krimeve të Luftës, ashtu siç nuk ishte as vet procesi njëdekadësh i shtyrë disa herë, ku Shesheli përfaqësonte veten e sfidonte vazhdimisht jurinë.

Sëmundja nuk e ka ndaluar 61-vjeçarin të rishfaqet në publik e të kundërshtojë hapur urdhrat e gjykatës, duke marrë pjesë në disa tubime antiqeveritare.

Kryeministri kroat, Tihomir Oreskoviç, ishte nga të parët që reaguan pas lajmit, duke e cilësuar vendimin “të turpshëm”. Javën e kaluar, i njëjti organizëm dënoi me 40 vite burg ish-presidentin serbo-boshnjak, Radovan Karaxhiç, për gjenocid dhe krime lufte në Bosnje.

Top Channel