Afrikë e Jugut, Presidenti kthen paratë e shtëpisë, e rindërtoi me fondet publike

31/03/2016 00:00

Gjykata e Lartë në Afrikën e Jugut, ka vendosur që Presidenti Jacob Zuma, ka shkelur kushtetutën pasi nuk ka rimbursuar paratë e qeverisë të shpenzuara në shtëpinë e tij private.

Gjykata i ka dhënë 60 ditë afat financave për të vendosur se sa duhet të paguajë Zuma. Vendimi është një fitore për opozitën që ka thënë se do të këmbëngulë për një hetim parlamentar për Presidentin.

Opozita e akuzon atë se ka përdorur para’ që nuk i përkisnin atij për të pajisur shtëpinë private me një pishinë dhe një amfiteatër. Vetë Zuma ka mohuar të ketë kryer ndonjë shkelje.

Në një deklaratë të qeverisë ndërkohë thuhet se Zuma do të reflektojë mbi vendimin e gjykatës dhe të ndërmarrë hapat e duhura. Një organ antikorrupsion, i njohur si “mbrojtësi publik”, vendosi në vitin 2014 se 23 milionë dollarë janë shpenzuar në shtëpinë e tij rurale në Nkandla në provincën Kvazulu Natal, në Afrikën e Jugut.

“Zuma ka përfituar nga paratë që nuk i përkisnin dhe duhet të kthejë mbrapsht një sasi të parave”, tha “mbrojtësi publik”. Mandati i zumës në pushtet është shoqëruar në fakt në disa raste nga akuza për korrupsion dhe favorizime.

Ai u zgjodh President në vitin 2009 dhe pritet të tërhiqet në 2019. Kongresi Kombëtar Afrikan në pushtet, thotë ndërkohë se respekton vendimin e gjykatës pavarësisht se deri më tani ka refuzuar t’i nënshtrohet presionit për ta detyruar Zumën të braktisë postin.

Top Channel