Në Durrës, për projektet e Ballkanit Perëndimor; Bushati, seri takimesh

30/03/2016 00:00

Në Durrës janë mbledhur ministrat e Jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ky është takimi i katërt në kuadër të procesit që mori udhë në Berlin. Pjesë e kësaj nisme janë ministrat e Jashtëm të Shqipërisë, Kosovës, Serbisë, Maqedonisë, Bosnje Hercegovinës dhe Mali i Zi.

Temë diskutimi në këtë takim të kryediplomatëve të rajonit do të diskutohen projektet rajonale sidomos ato në infrastrukturë dhe në energji.

Këtu përfshihet ajo që njihet si “Autostrada e Kaltër”, projekt që nis në Kroaci, vijon në Bosnje, Mal të Zi dhe Shqipëri, duke lidhur gjithë bregdetin e Ballkanit Perëndimor.

Po ashtu do të diskutohet edhe për projektin tjetër madhor po në infrastrukturë, ai Nish-Prishtinë-Durrës. Një tjetër që ndodhet në tryezë është edhe projekti i intekonjeksionit Shqipëri-Maqedoni.

Në Durrës, Serbia dhe Kosova nuk përfaqësohen me ministra, ndërkohë që merr pjesë edhe Komisioneri Hahn, kryeministri çek, sekretari i Shtetit i Punëve të Jashtme të Italisë, sekretari i Shtetit të Frances dhe ministri i Jashtëm norvegjez.

Në kuadër të këtij Ministeriali, ministri i Jashtëm Ditmir Bushati zhvilloi takime me homologun maqedonas Nikola Poposki, sekretarin francez të Shtetit Harlem Desir dhe nënsekretarin italian për Punët e Jashtme, Vincenzo Amendola.

Gjatë takimit me Poposkin u diskutua mbi zhvillimet më të fundit në Shqipëri e Maqedoni. Ministri Bushati i shprehu homologut vëmendjen dhe rëndësinë e veçantë që Shqipëria i kushton zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore midis dy vendeve.

Dy ministrat u ndalën në proceset integruese të Ballkanit Perëndimor, si dhe në rrugëtimin euro-atlantik të Maqedonisë. Në vijim, duke vlerësuar dhe mbështetur aspiratat demokratike dhe rrugën e zhvillimit e të integrimit euro-atlantik të Maqedonisë, Bushati shprehu mbështetjen për procesin e reformave të ndërmarra në Maqedoni, të dakordësuara me BE-në.

Nga ana e tij, Poposki vlerësoi mbështetjen që Shqipëria ka treguar në drejtim të bashkëpunimit dypalësh dhe integrimit euro-atlantik të vendit fqinj. Dy ministrat u ndalën edhe në angazhimin e dy qeverive tona, në frymën e Konferencës së Berlinit, si dhe mbi mundësitë për identifikimin e projekteve të reja të ndërlidhjes rajonale.

Ndërsa në takimin me sekretarin e Shtetit të Francës për Çështjet Evropiane, z. Harlem Désir u diskutua mbi perspektivën e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, në kuadër të përgatitjeve për procesin e hapjes së negociatave të anëtarësimit. Ministri Bushati vlerësoi rolin e rëndësishëm të Francës dhe mbështetjen e vazhdueshme të saj për Shqipërinë.

Nga ana e tij, sekretari i Shtetit, Désir vlerësoi progresin e bërë në procesin e reformave konsoliduese të ndërmarra nga qeveria shqiptare. Ai nënvizoi rëndësinë e reformës në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, çka do të ndikojnë pozitivisht, sipas tij, për avancimin e mëtejshëm të Shqipërisë drejt proceseve integruese.

Në takimin që shefi i diplomacisë shqiptare zhvilloi me nënsekretarin italian për Punët e Jashtme, Vincenzo Amendola, “u vlerësua niveli i shkëlqyer i marrëdhënieve strategjike dhe të bashkëpunimit mes dy vendeve”, thuhet në një njoftim zyrtar.

Ministri Bushati vlerësoi mbështetjen që ka dhënë dhe jep Italia në procesin e integrimit evropian të vendit tonë, atë të bashkëpunimit rajonal në frymën e Procesit të Berlinit, si dhe gatishmërinë për të vazhduar nxitjen e mëtejshme të këtij bashkëpunimi.

Nënsekretari Amendola dha garancinë e tij se Italia do të vijojë të mbështesë Shqipërinë në hapin e radhës, atë të hapjes së negociatave për anëtarësim në BE.

Palët evidentuan se bashkëpunimi mes dy vendeve ka qenë tepër i suksesshëm në hapësirën adriatike dhe mund të përbëjë një model në përballimin e krizave me të cilat përballet sot BE-ja.

Top Channel