Meta-Hahn: Gati të votojmë ndryshimet kushtetuese për reformën

30/03/2016 18:35

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta priti pasditen e së mërkurës në një takim komisionerin e BE për Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn, i cili po viziton Tiranën.

Në fokus të bisedimeve ka qenë rëndësia e përmbylljes së fazës së ndryshimeve kushtetuese për reformimin e sistemit të drejtësisë.

Në këtë drejtim, Meta rikonfirmoi se menjëherë pas dakordësisë mes palëve në komisionin e posaçëm, ndryshimet e propozuara do të votohen në Kuvend.

Më tej, kryetari i Kuvendit nënvizoi se faza e implementimit të reformës në drejtësi është kyçe jo vetëm për efikasitetin e luftës ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, por edhe për përmirësimin e imazhit ndërkombëtar të Shqipërisë, veçanërisht në raport me investitorët.

Nga ana e tij, komisioneri Hahn u shpreh se, përmbyllja e reformës në drejtësi është faza më kyçe e këtij procesi dhe vuri në dukje se reformimi i sistemit të drejtësisë është parakusht për hapjen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Në këtë drejtim, Hahn theksoi se Komisioni Evropian do vazhdojë t’i qëndrojë pranë Shqipërisë për të përshpejtuar progresin e procesit të integrimit evropian të vendit, “i cili duhet trajtuar si një interes i përbashkët kombëtar”, theksoi ai.

Top Channel