“Kushtetuesja”, kusht për reformën. Basha: Rama ka shpallur rënien e Republikës

30/03/2016 11:20

Me komisionerin e Zgjerimit, Lulzim Basha zhvilloi një takim të gjatë kokë më kokë dhe, publikisht, bëri të njohur qëndrimin e Partisë Demokratike për situatën e krijuar pas ndërprerjes së dialogut politik për Reformën në Drejtësi një javë më parë.

“Kam kërkuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës më parë dhe sot të Bashkimit Europian, për të qëndruar fuqimisht për shtetin ligjor, për zbatimin e Kushtetutës, për zbatimin pa asnjë ekuivok, pa asnjë negociatë të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, si parakusht i rikthimit të çdo premise për dialog politik”, ka thënë Basha.

Në takimin me komisionerin Hahn, kreu i opozitës e ka përshkruar kryeministrin Rama si njeriun që, nëpërmjet bashkëqeverisjes me emra të njohur të krimit, po ndërton një regjim autokratik, nga i cili rrezikohen zgjedhjet e lira dhe Reforma në Drejtësi.

“Dialogun për Reformën në Drejtësi e ka ndaluar mazhoranca. Mazhoranca ka shpallur faktikisht një gjendje të rënies së Republikës, asgjësimit të shtetit ligjor, pra nuk është çështje dialogu, nuk është as çështje negociate, as me Uashingtonin dhe as me Brukselin. Kjo është një çështje e vdekjes klinike të shtetit ligjor në Shqipëri”, shtoi më tej Basha.

Lulzim Basha thotë se, Shqipëria ka bërë hapa prapa me demokracinë, që kur Bashkimi Europian hyri garant për rikthimin e opozitës në Parlament në dhjetor të 2014-s për marrëveshjen e dekriminalizmit.

“E gjitha kjo, vjen sepse Edi Rama i ka vënë tritolin shtetit ligjor, demokracisë, zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, drejtësisë së pavarur. Ne qëndrojmë pikërisht për këto vlera, Kushtetutën, zgjedhje të lira dhe të ndershme, drejtësinë e pavarur dhe të pakapur, për t’i vënë para përgjegjësisë politikanët dhe pushtetarët e korruptuar në Shqipëri”, deklaroi kreu i PD-së.

Top Channel