
Komisioneri i BE-së për Zgjerimin, Johannes Hahn e nisi vizitën e tij zyrtare në Tiranë me një takim me Presidentin e Republikës, Bujar Nishani.
Sipas njoftimit për shtyp të Zyrës së Presidencës, mësohet se në takim është diskutuar për reformën në drejtësi, ku Presidenti Nishani evidentoi se mbetet i palëkundur në bindjen dhe mbështetjen e tij për një reformë që zhvillohet në suazën e rekomandimeve të Komisionit të Venecias.
Ndërkaq, axhenda e takimeve të Komisionerit Hahn ka vijuar me një takim me kreun e opozitës, Lulzim Basha, në selinë e Partisë Demokratike, e më pas është drejtuar për në “Hotel Sheraton” ku ka nisur puna e Tryezës së Dialogut të Nivelit të Lartë Shqipëri-BE, ku në fund të saj është parashikuar të mbahet dhe një konferencë për shtyp mes kryeministrit Edi Rama dhe komisionerit Johannes Hahn.
Duke qenë se reforma në drejtësi, e cila është një ndër 5 prioritetet e vendosura nga Bashkimi Europian për çeljen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë ka mbetur pezull dhe rrezikon dhe dështimin e plotë, komisioneri Hahn ka parashikuar në axhendën e tij edhe një takim me kryeparlamentarin Ilir Meta dhe ajo që është më e rëndësishme dhe që përforcon më shumë objektivin e vërtetë të vizitës së tij në Tiranë dhe shfaq shqetësimin e Komisionit Europian për situatën në Shqipëri, është një takim prej 45 minutash me Fatmir Xhafajn, kryetarin e Komisionit për Reformën në Drejtësi.
Top Channel