Zyra Federale e Hetimeve ose FBI po i reziston thirrjeve që të tregojë se si mundi të identifikojë njerëzit që përdoren një faqe pornografike të miturish në internet, pavarësisht se ata kishin përdoru programin kodues Tor.

Ky program shërben për të fshehur identitetin e njerëzve që përdorin internetin dhe bën që ata të mos gjurmohen dot, por mesa duket, FBI ka mundur ta mposhtë atë.

FBI u urdhërua nga një gjykatës që po trajton çështjen e një prej të akuzuarve që të tregojë detajet e zbulimit të tij. Avokatët mbrojtës të të pandehurit thonë se kanë nevojë për këtë informacion që të shohin nëse FBI ka shkelur autoritetin e saj kur zbuloi përdoruesit e progranit Tor.

Por, sipas Departamentit të Drejtësië, detajet nuk kanë asnjë vlerë në këtë çështje gjyqësore. “Të dish se si dikush hapi bravën, nuk siguron asnjë informacion se çfarë bëri kur hyri në shtëpi”, deklaroi një prej agjentëve të FBI-së.

Në fillim të vitit 2015, FBI kreu një operacion gjatë të cilit zbuloi faqen e internetit Playpen që shfaqte pornografi me të mitur. Njerëzit që futeshin aty përdornin programin kodues Tor, por arriti t’i zbulojë dhe t’i nxejrrë para gjyqit.

Avokatët e të akuzuarve thanë se duan më shumë informacione nga FBI për të parë nëse kanë identifikuar njerëzit e duhur. Shkurtin e shkuar, gjykatësi i një prej çështjeve urdhëroi FBI-në të tregonte këto detaje, por Zyra Federale refuzoi, duke kundërshtuar urdhrin.

Analistë të ndryshëm në SHBA e kanë paralelizuar këtë çështje me urdhërin që gjykata i dha kompanisë Apple që t’i tregonte sekretet e saj FBI-së, ndërsa thonë se kjo e fundit nuk mund të përdorë dy standarde.

Top Channel