Hahn: Jo kushte për reformën, mos i ndërlikoni punët

30/03/2016 00:00

Me Komisionerin e Zgjerimit, Lulzim Basha zhvilloi një takim të gjatë kokë më kokë dhe publikisht bëri të njohur qëndrimin e Partisë Demokratike.

“Kam kërkuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës më parë dhe sot të Bashkimit Europian për të qëndruar fuqimisht për shtetin ligjor, për zbatimin e Kushtetutës, për zbatimin pa asnjë mëdyshje, pa asnjë negociatë të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, si parakusht i rikthimit të çdo premise për dialog politik“, tha Basha.
 
Por pak më vonë, mesazhi i Komisionerit Hahn ishte i qartë; opozita s’mund të kushtëzojë me asgjë reformën në drejtësi.

“Elementi kyç është reforma në drejtësi. Këtu shumë shpejt na duhen vendime. Po të krahasohet me aktivitete të ngjashme, më çfarë ndodh në vende të tjera në vende fqinje, është e një shkalle të pashembullt dhe me një ndikim afatgjatë. Shpresojmë në një ndikim pozitiv afatgjatë në vend dhe në mënyrë që të ketë po kështu një udhërrëfim për sa i përket çeljes së negociatave për anëtarësim në BE. Është shumë e rëndësishme të ketë një vendim përpara se të fillojë zbatimi i kësaj reforme në drejtësi”, deklaroi Hahn.

Për Bashën, bllokimi i reformës ka vetëm një fajtor.

“Dialogun për reformën në drejtësi e ka ndaluar mazhoranca”, thotë ai.

Kryeministri u tregua më elegant në prani të Hahn në argumentin e tij kundër Bashës.

“Presim vetëm që Partia Demokratike të jetë gati dhe të finalizojmë një proces, i cili ka hyrë në miljen e fundit, në tryezën e komisionit ad-hoc të reformës në drejtësi. Çështjet nuk kanë lidhje me këtë”, u shpreh Rama.

Por opozita e sheh gjysmë bosh gotën gjysmë plot të Kryeministrit.

“Ne qëndrojmë pikërisht për këto vlera, Kushtetutën, zgjedhje të lira dhe të ndershme, drejtësi e pavarur dhe e pakapur për t’i vënë para përgjegjësisë politikanët dhe pushtetarët e korruptuar në Shqipëri”, deklaron Basha.

I pyetur nga Top Channel për kushtëzimin e vendosur nga opozita Komisioneri Hahn kërkoi që të mos komplikohen gjërat.

“Kur flasim për reformën në drejtësi kërkohet fokus në të dhe jo për t‘i komplikuar gjerat. Nga ana tjetër  unë kam qenë gjithnjë i qartë që ju keni një sistem gjyqësori ekzistues, keni gjykatat dhe kjo është pjesë e të gjithë punës që bëhet, pra respektimi i vendimeve të gjykatave”, thotë ai.

Komisioneri bëri të qartë fokusin e dialogut.

“Tani fokusi duhet të jetë tek reforma në drejtësi dhe unë dëshiroj t‘u bej thirrje të gjithëve që të ulen në tryezën e rrumbullakët dhe ta hedhin dhe hapin për kilometrin e fundit që duhet të pershkoni”, shton ai.

Kryeministri Edi Rama, i frymëzuar nga kjo deklaratë, propozoi të njëjtin format bisedimesh me opozitën, por pa një arbitër ndërkombëtar.

“Si shumicë ne jemi gati. Sot unë e ftoj publikisht dhe në sy të mikut tonë të përbashkët, Komisionerit Hahn, Partine Demokratike, lidershipin e saj, që të ulemi në një tryezë të dialogut të lartë politik mes nesh. Përsa na takon, si shumicë, ne jemi gati”, deklaroi Kryeministri.

Më vonë, në Këshillin e Integrimit, Komisioneri Hahn theksoi se veç pesë prioriteteve, tabloja politike duhet të garantojë edhe zbatimin e ligjeve të rëndësishme.

“Ka edhe sfida të tjera, reforma të tjera, ku dëshiroj të përmend dy procese në veçanti; nga njëra anë zbatimin e ligjit të dekriminalizimit dhe po ashtu edhe reformën zgjedhore“, u shpreh ai.

Gjatë vizitës së Hahn, opozita mblodhi grupin e saj kuvendor dhe mori vendim të mos ndryshojë qëndrimin e saj të deritanishëm ndaj Kuvendit, por as për ta përshkallëzuar atë. Deri diku ky mund të quhet efekti i vetëm pozitiv që vizita e komisionerit Hahn la në Tiranë.

Top Channel