Francë, Hollande heq dorë nga plani për ndryshimin e Kushtetutës

30/03/2016 00:00

Presidenti francez Francois Hollande hoqi dorë nga planet për ndryshimin e Kushtetutës, me qëllimin t’u hiqej shtetësia franceze militantëve të dënuar për sulme terroriste.

“Kompromisi duket i pamundur”, tha shefi i Elizesë, pasi dy dhomat e Parlamentit dështuan të pajtoheshin me reformën.

Propozimi në fjalë u paraqit pas sulmeve të nëntorit në Paris, ku gjetën vdekjen 130 vetë, por ndeshi në kundërshti të ashpër dhe e çoi drejt dorëheqjes së ministres së Drejtësisë, Christiane Taubira, në muajin shkurt.

Ndryshimet kushtetuese në Francë duhet të marrin aprovimin e 3/5-tës së dhomave të Parlamentit, në të kundërt nuk hyjnë në fuqi. Franca është që prej 14 nëntorit në gjendje të jashtëzakonshme. Kjo masë përfundon në datën 26 maj.

Top Channel