Drejtësia, Hahn: Jo kushte për reformën; Rama fton Bashën në tryezë

30/03/2016 13:10

Dialogu i radhës i nivelit të lartë Shqipëri-BE nuk arriti të shkrijë akullin e krijuar mes opozitës dhe shumicës për Reformën në Drejtësi. Komisioneri Hahn, i kthyer në misionarin e shuarjes së sherreve ballkanike, nuk ia doli në Tiranë të përmbushë qëllimin e vizitës, për të nxitur një miratim të shpejtë të reformës, por mesazhi ishte i qartë: Opozita s’mund të kushtëzojë me asgjë Reformën në Drejtësi.

Nga konferenca për shtyp me kryeministrin Rama, komisioneri përsëriti të njëjtat receta europiane për avancimin e kësaj reforme.

“Për Reformën në Drejtësi na duhen shumë shpejt vendime, pasi është e një shkalle të paprecedentë dhe me ndikim afatgjatë. Është e rëndësishme dhe e nevojshme që të ketë një vendim, përpara se të fillojë zbatimi i kësaj reforme”, tha Hahn.

Por kryeministri Edi Rama, i frymëzuar nga kjo tryezë, propozoi të njëjtin format bisedimesh me opozitën, por pa një arbitër ndërkombëtar si komisioneri Hahn.

“Sot unë dua ta ftoj publikisht, në sy edhe të mikut tonë të përbashkët, komisionerit Hahn, Partinë Demokratike, udhëheqësinë e saj, që të ulemi në një tryezë dialogu të nivelit të lartë politik mes nesh. Për sa na takon si shumicë, ne jemi gati. Presim vetëm që Partia Demokratike të jetë gati dhe të përfundojmë një proces, i cili ka hyrë në kilometrin e fundit, siç tha Komisioneri”, tha Rama.

I pyetur nga Top Channel për kushtëzimin e vendosur nga opozita, në përgjigjen e tij komisioneri la të kuptohet se “Shqipëria nuk e ka luksin e të komplikuarit të gjërave”.

“Përsa i përket Reformës në Drejtësi, duhet të fokusohemi tek ajo dhe jo t’i ndërlikojmë gjërat e t’i bëjmë më të komplikuara se ç’duhet. Nga ana tjetër, unë kam qenë gjithnjë i qartë, që ju keni një sistem gjyqësor ekzistues, keni gjykatat dhe kjo është pjesë e të gjithë punës që bëhet, pra respektimi i vendimeve të gjykatave. Por, tani fokusi duhet të jetë te Reforma në Drejtësi dhe unë dëshiroj t’iu bëj thirrje të gjithëve, që të ulen në tryezën e rrumbullakët dhe të hedhin edhe hapin për kilometrin e fundit që duhet të përshkoni”, tha Hahn.

Krahas 5 prioriteteve, komisioneri kërkoi bërjen kujdes me “Dekriminalizimin” dhe “Reformën Zgjedhore”. Ndërsa për çeljen e negociatave u shpreh:

“Objektivi im është që unë t’iu prezantoj shteteve anëtare të BE-së një raport pozitiv gjatë këtij viti, në mënyrë që t’u jap atyre diçka në dorë, që ata të marrin vendimin. Kjo, sepse unë besoj që hapi tjetër mendoj të jetë çelja e negociatave të anëtarësimit, në mënyrë që të fillohet ky proces. Edhe njëherë duhet ta theksoj se në fakt është një proces dhe jo thjesht negociata, pra duhet ta fillojmë këtë proces, në mënyrë që të ketë ndryshime në shumë fusha dhe në shumë zakone të caktuara edhe në zgjedhjet tona, në mënyrë që vendi të jetë i gatshëm për anëtarësim në BE”, tha Hahn.

Depuetja demokrate Majlinda Bregu, në përfundim të dialogut të nivelit të lartë la pak shpresë për momentin, se opozita do të ndryshojë qëndrim.

“Është e rëndësishme që të jenë të gjitha garancitë që kjo reformë nuk është një pazar, por një reformë që garanton sundimin e ligjit në Shqipëri. Duke u nisur nga moszbatimi i vendimeve të gjykatave, – që besoj se ishte edhe një nga mesazhet kryesore të komisionerit Hahn, – që janë të padiskutueshme për t’u zbatuar nga të gjithë, tashmë është fare e qartë se që reforma dhe dyshimi se ajo mund të zbatohet nesër janë në rrezik”, tha Majlinda Bregu.

Thënia e ditës
“Unë jam i gatshëm ta përqafoj çdo ditë opozitën”, – Rama.

Top Channel