Atentatet e Brukselit, kryeministri belg Michel nën shënjestrën e terroristëve

30/03/2016 00:00

Xhihadistët, që ndërmorën atentatet vetëvrasëse në Aeroportin “Zaventem” të Brukselit dhe në stacionin e metrosë së Maalbeekut, kishin kërkuar në internet informacione mbi zyrën dhe shtëpinë e kryeministrit të Belgjikës, Charles Michel.

Detajet e lëvizjeve të tyre u zbuluan në kompjuterin e agresorëve të hedhur në një kosh mbeturinash. Raporte të pakonfirmuara lënë të kuptohet se, laptopi mund të përmbajë skedarë me planimetrinë e ndërtesës, si dhe fotografi të zyrës së kreut të ekzekutivit.

Po aty thuhet të gjendet edhe mesazhi përfundimtar i njërit prej kamikazëve, Brahim el-Bakraoui. Tepër konfuz në atë që kërkon të thotë, el-Bakraoui ankohet prej gjurmimit të policisë e shprehet se nuk ndihet më i sigurtë asgjëkundi.

Viktimat e ngjarjes tronditëse tashmë janë identifikuar që të gjitha. Shtetas belgë ishin 17, të tjerët janë të kombësive të ndryshme nga e gjithë bota. Ndërkohë, 94 persona vazhdojnë të mbeten në spital, e me dhjetëra prej tyre janë në terapi intensive. Funerali i parë i zhvilluar është ai i Raghavendran Ganeshan, trupi i të cilit u kthye të martën në qytetin indian të Chennait.

Kompjuteri u zbulua një ditë pas sulmeve në një kosh mbeturinash të rrugës “Max Roos”, në zonën Schaerbeek. Të 3 të dyshuarit e shfaqur në pamjet e kamerave të sigurisë së aeroportit ishin larguar me taksi prej një shtëpie në të njëjtën rrugë, shoferi i së cilës e çoi më vonë policinë në banesën ku u gjetën lëndë plasëse.

Duke cituar burime të besueshme sipas tij, gazeta “De Tijd” thotë se skedarët në kompjuter përmbanin detaje dhe foto të godinës dhe zyrës së shefit të ekzekutivit në “16 Rue de la Loi”, ku ndodhet edhe stacioni i Maalbeekut, si dhe të dhëna mbi rezidencën e tij zyrtare në rrugën “Lambermont”.

Top Channel