
Më shumë se 200 njerëz janë arrestuar në Pakistan, ndërsa autoritetet kërkojnë autorët e sulmit në ditën e Pashkëve që i kushtoi jetën të paktën 72 njerëzve në Lahore.
Autoritetet e provincës Punxhab thanë se të arrestuarit ishin mes më shumë se 5 mijë njerëzve që u morën në pyetje si pjesë e një ofensive antiterror. Në këto operacione janë sekuestruar gjithashtu sasi të mëdha armësh.
Sulmi ndaj të krishterëve për Pashkë u mor përsipër nga grupi Jamaat ul Ahrar, një degë e talebanëve në Pakistan, megjithëse shumica e viktimave ishin myslimanë. Autoritetet pakistaneze thanë se jnë kryer 56 operacione në të gjithë provincën e Punxhabit, por këto veprime duken tejet të vonuara.
Analistët thonë se Pakistani po përpiqet që të tregojë se mund t’ia dalë në luftën kundër terrorizmit, por sulmet e shpeshta në vend shfaqin një tjetër panoramë.
Problemi kryesor i Pakistanit në luftën kundër terrorit është se shumë anëtarë të forcave të saj të sigurisë ndajnë të njëjtët pikëpamje me grupet e militantëve dhe shpesherë ka pasur akuza se autoritetet janë plotësisht pasive kundër kërcënimeve.
Kryeministri pakistanez dhe shefi i ushtrisë janë zotuar se do t’i nxjerrin para drejtësisë fajtorët, por deklaratat e tyre hyjnë në një varg të gjatë premtimesh të tilla që nuk janë mbajtur më parë.
Top Channel