Shpresa tek të huajt, tryeza Shqipëri-BE mund të risjellë dialogun për reformën

29/03/2016 15:10

Tryeza e Dialogut të Nivelit të Lartë Shqipëri-BE do të ketë në fokus kryesor të saj reformën në drejtësi. Këtë e ka pohuar në një intervistë për Top Channel, ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha, vetëm një ditë para takimit të 6 të këtij formati.

“Do të kemi një diskutim të gjerë në kuadër të 5 prioriteteve, por duke vendosur theksin edhe njëherë tek prioriteti kyç, i cili ka të bëjë me reformën në drejtësi, shtetin e së drejtës dhe zbatimin e ligjit në vend”, deklaron Gjosha.

E pyetur nëse tryeza ku do të jetë i pranishëm edhe komisioneri për Zgjerimin, Johanes Hahn mund të shërbejë si një pikë kthese mes palëve për gjetjen e konsensusit, minsitrja Gjosha dha këtë përgjigje:

“Historia ka treguar që tryeza të tilla në fakt kanë shërbyer në të mirë të vendit dhe në të mirë të dialogut politik në vend, gjë e cila nuk duhet të ndodhë kështu, sepse palët shqiptare dhe partitë politike shqiptare duhet të jenë ato që duhet të kenë interesin e tyre për të gjetur një dialog të mundshëm mes tyre. Unë medoj se po, do të shërbejë për mirë, por që gjithnjë kjo do të varet dhe nga vullneti i mirë i të gjitha palëve”, nënvizon Gjosha.

Sipas ministres Gjosha, në tryezë rëndësi do t’i kushtohet edhe çështjes së pronave, e cila është një nga 5 prioritetet e vendosura nga BE-ja, por që sipas saj, duhet patjetër që edhe për këtë të gjendet dakordësia mes palëve në vend e t’i jepet fund njëherë e mirë procesit të kthimit të pronave.

Top Channel