Pamjet e një videoje që tregon se si shpërndaheshin ushqimet nga një çadër e kampit pranë fshatit Kutsoqero në Larisa, po bëjnë xhiron e mediave greke orët e fundit, duke shkaktuar reagime të mëdha.

Videoja amatore e xhiruar nga një aktivist anarkist tregon se si nga një çadër ku mbahen ushqime të ndryshme të grumbulluara nga OJQ-të, dikush ua hidhte refugjatëve, ndërsa ata ziheshin jashtë saj se kush të merrte më shumë.
 
Sipas një zëdhënësi të ushtrisë, kanë qenë vetë refugjatët që kanë hyrë me forcë në çadrën në fjalë dhe kanë shpërndarë në këtë mënyrë ushqimet, por kjo nuk ka qetësuar mediat, të cilat kritikojnë mungesën e shtetit në shumicën e kampeve, duke ua lënë në dorë gjendjen vetëm vullnetarëve dhe aktivistëve.

Akuza të njëjta janë bërë edhe për kampin provizor të Eidhomenit, ku ndodhen mbi 11500 refugjatë dhe pasditen e së martës dhjetëra prej tyre janë përleshur me forcat policore, që u kanë kërkuar të lirojnë shinat e linjës hekurudhore që lidh Greqinë me fqinjin e saj verior.
 
Emigrantët kanë hedhur gurë mbi policinë, ndërsa këta të fundit kanë krijuar një kordon me mburoja dhe janë përpjekur të qetësojnë situatën që është tepër e tensionuar, ndërsa pothuajse çdo ditë ka protesta nga refugjatë të egërsuar që dëshpërimisht kërkojnë hapjen e kufijve dhe nuk duan të ikin, me shpresën se situata do të ndryshojë.
 
Qeveria ndërkohë vazhdon t’u bëjë thirrje të gjithë emigrantëve që jetojnë në kushte dramatike me anë të fletushkave dhe thirrjeve me autoporlantë në tre gjuhë të ndryshme të largohen drejt qendrave të tjera të pritjes, pasi kufijtë nuk do të hapen.

Sipas të dhënave të fundit, në gjithë vendin ndodhen 50360 refugjatë, ndërsa për herë të parë në 48 orët e fundit numri i atyre që vijnë nga brigjet turke është më pak se 1000 në ditë.
 
Mediat greke publikojnë orët e fundit lajmin e gazetës “Hyrriet”, sipas së cilës organet turke kanë arrestuar të paktën 18 trafikantë në Izmir, Stamboll dhe zona të tjera bregdetare të Turqisë, të cilët përpiqeshin të sillnin në mënyrë të paligjshme refugjatë sirianë në ishujt grekë.

Top Channel