Fletushkat në Idomeni, reagon qeveria greke: Asnjë shteg i ri për refugjatët

29/03/2016 00:00

Qeveria greke është hedhur në veprim, pas informacioneve të rreme mbi rrugën ballkanike, dhe ka dërguar përkthyes e po vendos altoparlantë në kufijtë e vendit me Maqedoninë për t’i paralajmëruar refugjatët të mos bien prè e fletushkave apo thashethemeve, të përhapura përmes mediave sociale.

Kufijtë, – sqarojnë zyrtarët grekë, – do të vazhdojnë të mbeten të mbyllur. Komiteti i krizës së refugjatëve pranë ekzekutivit helen sqaroi se, kanë për qëllim t’u tregojnë emigrantëve të bllokuar në Idomeni se, nuk është hapur asnjë shteg i ri për ta.

“Po përpiqemi të komunikojmë me refugjatët në gjuhën e tyre”, sqaroi zëdhënësi i panelit qeveritar të koordinimit mbi emigracionin, Jorgos Kyritsis. Kyritsis e dënoi ashpër atë që e cilësoi dezinformim të qartë dhe spekulime të papërgjegjshme, që përhapen me shpejtësinë e një zjarri pyjor mes njerëzve të ndodhur nën presion, e që aktualisht jetojnë në kushte të skajshme.

Fletëpalosjet e shpërndara në Idomeni u tregonin refugjatëve të dëshpëruar se, rruga e tyre drejt Europës ishte hapur përmes Shqipërisë. Agjencia e OKB-së për refugjatët, UNHCR është përpjekur gjithashtu t’i paralajmërojë rezidentët e kampit, që të mos i besojnë fletëpalosjet, edhe pse pasiguria që i rrethon tani dhe frika e kthimit mbrapsht i shtyn të bëjnë pikërisht të kundërtën.

Kjo është hera e tretë, që shpresat e emigrantëve për largim nga Idomeni fashiten në këtë mënyrë. Në fillim qarkulluan informacione të rreme se do të hapej kufiri me Maqedoninë, ndërsa më 14 mars, refugjatët tentuan të hidhen në vendin fqinj me Greqinë duke përshkuar një lumë e një zonë malore pas fletushkave të shpërndara në kamp, të cilat u tregonin me saktësi se nga duhej të kalonin. Të gjithë u kapën nga autoritetet maqedonase e u kthyen mbrapsht.

Top Channel