Traktet e shpërndara në Idomeni: Sirianë, ikni në Shqipëri!

28/03/2016 00:00

Refugjatët e strehuar në kampin e Idomenit, në mungesë të një zgjidhjeje konkrete nga autoritetet janë kthyer në viktima të thashethemeve, që qarkullojnë në komunitetin e tyre për shkak të mungesës së informacionit.

Për herën e tretë radhazi, nëpër kampe janë shpërndarë fletëpalosje nga një organizatë, në të cilat shkruhet se, një shteg i ri është hapur për ta dhe është pikërisht rruga për në Shqipëri.

“Ne kemi informacione se mund të marrim rrugën për në Shqipëri, pasi ai vend do të na lejojë të depërtojmë për më tej. Më pas na thanë se, nga Shqipëria do të kalojmë në Malin e Zi, Slloveni dhe Austri. Pastaj i hoqën këto fletëpalosje… Pse e bënë këtë? Po na shkatërrojnë shpresat dhe nuk po na ndihmojnë aspak”, thotë një refugjat sirian.

“Ne duam të dimë kush i postoi këto letra, që edhe ne të dimë se çfarë të bëjmë. Ne duam të largohemi, na duket sikur këtu po mbytemi, sikur po jetojmë në një burg të hapur dhe nuk dimë sesi do të ikim prej këtej”, thotë një tjetër refugjate.

Protestat në kufirin greko-maqedonas nuk kanë munguar, por ato duket se nuk kanë zgjidhur asgjë për shpërnguljen e tyre. Më herët ishte ministri i Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier, i cili e kritikoi ashpër mbylljen e rrugës ballkanike të refugjatëve.

“Më pak refugjatë po vijnë sot në Europën Qendrore, sepse kanë mbetur në Greqi. Të heqësh qafe problemet e tua, duke zhytur në vështirësi partnerë të tjerë europianë, nuk është aspak mënyra sesi duhet ta trajtojmë ne njëri-tjetrin”, tha Frank-Walter Steinmeier, ministër i Jashtëm i Gjermanisë.

Ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ofruar 20 milionë dollarë për t’i ardhur në ndihmë eksodit më të madh të refugjatëve, që pas Luftës së Dytë Botërore.

Top Channel