SHBA, guvernatori i Georgias vendos veton ndaj ligjit të “lirisë fetare”

28/03/2016 00:00

Guvernatori i shtetit amerikan të Georgias vendosi veton ndaj ligjit – të ashtuquajtur – të lirisë fetare, pas presionit të madh të bizneseve.

Ligji, i cili më herët ishte miratuar në Parlamentin e këtij shteti, do t’i lejonte organizatave me bazë fetare që t’u mohonin shërbime njerëzve homoseksualë apo transeksualë. Mes kompanive të mëdha, që kërcënuan se do të largonin biznesin e tyre nga ky shtet, ishin “Coca Cola”, “Disney”, “Warner Bros.” apo Federata kombëtare e Futbollit.

“Mendoj se kjo është një çështje që ka të bëjë me karakterin e shtetit tonë. Nuk mendoj se mund të diskriminojmë njerëz, për të mbrojtur komunitetin besimtar të Georgias”, deklaroi guvernatori Nathan Deal.

Republikanët në parlamentin lokal thanë më herët se, ligji do të mbronte besimtarët të cilët besojnë se, kur u shërbejnë homoseksualëve apo transeksualëve shkelin besimin e tyre. Ligji do të mbronte gjithashtu klerikët, që nuk kishin dëshirë të kryenin martesa homoseksuale; apo njerëzit, që nuk marrin pjesë në këto martesa për shkak të besimit.

Por, nëse ligji hynte në fuqi, aktivistët thonin se, ai do të ligjëronte diskriminimin. Megjithëse guvernatori Deal e mbrojti vendimin e tij me parime mjaft të bukura, mediat vendase thonë se, ai nuk e miratoi ligjin pas presioni të madh të biznesit. Pavarësisht çështjes në fjalë, asnjë guvernator në SHBA nuk mund t’ia lejojë vendit të vet, luksin që shumica e biznesve të mëdha të largohen nga territorit i shtetit të tij.

Top Channel