
Të bësh një “selfie” me një diplomat europian diku mund të konsiderohet si një rast i rrallë. Por “selfie” të tilla mund të bëjnë edhe vet diplomatët e vendeve të ndryshme, gjatë punës së përditshme të tyre në vendet ku janë dërguar për misione diplomatike. Megjithatë, një e tillë në Turqi është “e ndaluar”, madje për këtë gjë mund edhe të kritikohesh nga vet Presidenti Erdogan.
Kreu i Presidencës turke ka paralajmëruar konsullin e përgjithshëm të Britanisë gjatë së hënës, për shkak të një fotografie të kapur gjatë një seance gjyqësore për spiunazh ndaj dy gazetarëve, foto të cilën e ka publikuar në rrjetin social “Twitter”.
Recep Tayyip Erdogan ka kritikuar ashpër diplomatët perëndimorë, pasi disa prej tyre dolën hapur në mbështetje të Can Dundar, kryeredaktor i gazetës “Cumhuriyet”, dhe kolegut të tij Erdem Gul, në ditën e parë të gjyqit ndaj tyre të zhvilluar në Stamboll.
Gazetarët akuzohen se janë përpjekur të rrëzojnë qeverinë me publikimin e një videoje, ku pretendohet se është shfaqur ndihma që Agjencia shtetërore e Inteligjencës turke u ka dhënë trafikantëve të armëve drejt Sirinë në vitin 2014. Të dy ata rrezikojnë burgimin e përjetshëm, ndaj dhe kjo çështje ka tërhequr dënimin nga ndërkombëtarët, si dhe ka shtuar shqetësimet në lidhje me lirinë e medias në Turqi.
“Konsulli i përgjithshëm i një shteti të caktuar shkoi në gjyqin e një gazetari të akuzuar për spiunazh, sigurisht për ta mbështetur atë. Mbi të gjitha, ai kishte shprekur edhe një fotografi me të dhe e kishte publikuar atë në rrjetet sociale”, citohet të ketë thënë Erdogan nga agjencia shtetërore e lajmeve “Anadolu”, gjatë fjalimit të tij në Akademinë e Luftës në Turqi.
“Ai nuk u ndal me kaq, por në rrjetet sociale shprehu edhe gjëra të tilla si ‘Turqia duhet të vendosë se çfarë lloj vendi duhet të bëhet’, fjalë të cilat e tejkalojnë kuptimin që duhen të kenë”, ka thënë më tej Erdogan.
Presidenti turk nuk e përmendi emrin e diplomatit, por më vonë është kuptuar se bëhej fjalë për konsullin e përgjithshëm të Britanisë, Leigh Turner, i cili të premten publikoi një fotografi të tijën me Dundar në “Twitter”, përpara se të niste seanca dëgjimore. Në këtë seancë merrnin pjesë edhe disa diplomatë të tjerë, përfshi këtu ambasadorë dhe konsuj të përgjithshëm.
I pyetur në lidhje me komentet e Erdoganit, një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme britanike “Foreign Office” në Londër, tha se diplomatët marrin pjesë rregullisht nëpër seanca gjyqësore për t’i mbikëqyrur ato në përputhje me konventat ndërkombëtare. “Kjo është një çështje e rëndësishme për lirinë e shprehjes në Turqi dhe ne, së bashku me partnerët tanë europianë, do të vazhdojmë të monitorojmë progresin e saj”, tha zëdhënësi, që vendosi të mbetej anonim.
Top Channel