PD: Përshkallëzim protestash. Aksioni opozitar dhe qytetar kundër qeverisë

28/03/2016 21:00

Mbledhja e jashtëzakonshme e Kryesisë dhe e Grupit Parlamentar në mbrëmjen e së hënës pas përleshjeve në Parkun e Liqenit Artificial prodhoi një qëndrim më të ashpër nga opozita karshi maxhorancës.

Në përfundim të takimit, që ka zgjatur thuajse dy orë ata që dolën para medias ishin Sekretari i Përgjithshëm i demokratëve, Arben Ristani dhe kreu i Grupit Parlamentar, Edi Paloka.

Ashtu si qëndrimi i Bashës gjatë ditës, edhe Ristani në mbrëmje nuk foli vetëm për atë që opozita e quan betonizim të Liqenit, por për paligjshmëri të Qeverisë duke nënkuptuar se kjo paligjshmëri e detyron opozitën të futet në rrugën e protestave të pandërprera.

“Të gjitha format demokratike janë ato që do të shfrytëzohen. Të gjithë duhet të jemi të bindur që betonizimi i Liqenit është një nga treguesit e paligjshmërisë së këtij pushteti duke nisur që nga shkelja e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese e deri tek kriminalizimi i administratës shtetërore. Të gjithë e shohin se përballë kemi një mur të shurdhër që çdo gjë e ngre mbi arrogancën dhe interesat e oligarkisë”, tha Sekretari i PD-së.

Dhe kur flasin për të gjitha ‘format demokratike’, opozitarët nuk nënkuptojnë vetëm ato si qytetarë, por edhe si deputetë brenda Parlamentit

“Ne do të kemi aksion të përshkallëzuar, jo vetëm qytetar”, deklaroi Paloka.

Top Channel