Një fraksion i talebanëve mori përgjegjësinë e masakrës së një dite më parë në Lahore të Pakistanit, ku vdiqën mbi 70 vetë, mes të cilëve edhe fëmijë. “Jamaat-ul-Ahrar” e bëri të qartë se, qëllimi i tij kishte qenë goditja e të krishterëve që kremtonin Pashkët.
Por grupi ka kërkuar në të njëjtën kohë t’i dërgojë një mesazh edhe kreut të ekzekutivit, Navaz Sharif, e për t’i thënë se “ka hyrë tashmë në Lahore”, një prej qyteteve më liberale e të pasura të vendit, si dhe baza e pushtetit të kryeministrit.
Zëdhënësi i fraksionit taleban, Ehsanullah Ehsan shkoi edhe më tej, duke kërcënuar me sulme të tjera.
“Jamaat-ul-Ahrar” është një degë e shkëputur prej “Tehrik-e Taliban” të Pakistanit. Muajt e fundit, ai ka ndërmarrë një sërë sulmesh ndaj civilëve pakistanezë dhe forcave të sigurisë, duke dëshmuar se po bëhet gjithmonë e më aktiv.
Sulmi i së dielës, vepër sipas gjasave e një atentatori vetëvrasës, ndodhi në portën kryesore të parkut “Gulshan-e-Iqbal”, jo shumë larg një këndi lojërash për fëmijët.
Eksplozivi, sipas zyrtarëve vendas, ishte paketuar me kuzhineta. Disa prej 300 të plagosurve janë në gjendje kritike për jetën, ndaj nuk përjashtohet mundësia e rritjes së bilancit të vdekjeve. Plot 15 vetë janë arrestuar nga policia në Lahore lidhur me ngjarjen e rëndë. Tri prej tyre janë të afërm të kamikazit.
Presidenti i Pakistanit e dënoi sulmin e së dielës dhe ka shpallur 3 ditë zie kombëtare.
Top Channel