Gjermania, kritika për refugjatët: Mbyllja e rrugës ballkanike ndëshkoi Greqinë

28/03/2016 00:00

Ministri i Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier e kritikoi ashpër vendimin e disa prej vendeve të BE-së për mbylljen e rrugës ballkanike të refugjatëve. Në këndvështrimin e shefit të diplomacisë gjermane ishte pikërisht një hap i tillë, ai që shkaktoi një krizë humanitare për Greqinë, ku la të bllokuar me mijëra vetë.

“Më pak refugjatë po vijnë sot në Europën Qendrore, sepse kanë mbetur në Greqi. Të heqësh qafe problemet e tua, duke zhytur në vështirësi partnerë të tjerë europianë nuk është aspak mënyra, sesi duhet duhet ta trajtojmë ne njëri-tjetrin”, tha Frank-Walter Steinmeier, ministër i Jashtëm i Gjermanisë.

Pa marrëveshjen e BE-së me Turqinë – sipas tij, – sot blloku do të kishte 100 mijë vetë duke u përpjekur të mbijetonin mes pisllëkut e baltës në kufirin greko-maqedonas. Kjo është arsyeja përse përqëndrimi i Europës te kufijtë e jashtëm, pakti me Ankaranë dhe mbështetja për Greqinë përbëjnë mënyrën e duhur për menaxhimin e kësaj krize, shtoi ministri.

Ai theksoi në mënyrë të veçantë se, gjeografikisht, Turqia mbetet një partner i rëndësishëm në luftën për frenimin e vërshimit të emigrantëve, por marrëveshja me të sërish duhet parë sesa do të zbatohet realisht në praktikë.

Top Channel