
Partia më e madhe braziliane pritet të vendosë ditën e martë nëse do të ndahet nga koalicioni i rropatur me Presidenten Dilma Rousseff, duke shtuar këtë në mënyrë të ndjeshme mundësitë që kryetarja e shtetit të rrëzohet në vazhdën e një skandali korrupsioni.
Partia braziliane për Lëvizjen Demokratike (PMDB) pritet të vendosë në takimin kombëtar të udhëheqësve të saj mbi ritmin e shkëputjes nga administrata “Rousseff”, në të cilën mban 7 poste ministrore dhe zëvendëspresidentin.
Përçarja formale duket e paevitueshme dhe pritet të rrisë edhe më tej izolimin e Rousseff, një Presidente jopopullore, ndërsa anëtarëve të PMDB-së do t’u garantohet liri e plotë për të votuar për shkarkimin e saj.
Kjo bën që, me shumë gjasa ajo të pezullohet nga detyra me vendim të Kongresit nga fillimi i muajit qershor, si dhe të zëvendësohet nga zëvendëspresidenti Michel Temer, udhëheqës i PMDB-së, ndërkohë që Senati do të vendosë nëse ajo do të rrëzohet përfundimisht nga pushteti.
Ndihmësit e Temer thonë se zv.presidenti është i gatshëm të marrë postin e ri dhe të bëjë përpjekjet maksimale që të rikthejë besimin e biznesit në vend dhe të nxjerrë ekonominë më të madhe të Amerikës Latine nga “rënia e lirë”. Media braziliane ka raportuar përgjatë fundjavës se, një ekip ndihmësish të Temer po hartojnë planin për javën e parë të tij si President i Brazilit.
Zyrtarët e partisë më të madhe braziliane parashikojnë që 70 deri në 80 për qind e anëtarëve me të drejtë vote, plot 119 të tillë, të direktoratit do të votojnë për t’i dhënë fund aleancës së PMDB-së me Rousseff dhe partinë e saj “të Punëtorëve”.
Top Channel