Basha: Policia, dhunë arbitrare. Agjentë me maska kanë rrëmbyer kreun e njësisë nr. 5

28/03/2016 13:55

Kryetari i PD, Lulzim Basha në një deklaratë për mediat ka akuzuar kryeministrin Rama dhe qeverinë e drejtuar prej tij për ushtrimin e një pushteti sipas tij tiranik, që dhunon qytetarët dhe mbron shkelësit e ligjit.

Basha ka akuzuar Ramën si një kryeministër që e sheh veten mbi Kushtetutën dhe ligjet vetëm për të mbrojtur interesat e tij dhe të klientëve të tij.

“Rama e sheh veten mbi ligjin dhe Kushtetutën për të mbrojtur deputetët e tij të korruptuar. Ky pushtet burgos familjarët që rregullojnë shtëpitë dhe nga ana tjetër mbron ata që betonizojnë”, ka thënë Basha, duke iu referuar punimeve tek Parku i Liqenit.

“Këndi i lojrave tek Parku i Liqenit po ndërtohet pa leje mjedisore dhe me një leje të falsifikuar të KKRT-së”, ka thënë më tej Basha, i cili ka denoncuar ashpër dhunën e ushtruar nga policia, sipas tij, në sheklje me ligjin.

“Prania e policëve me armë, në kundërshtim me ligjin dhe pa emrin identifikues tregon se shteti ka rënë, Kushtetuta dhunohet dhe ligji shkelet”, ka thënë Basha. ai i ka bërë thirrje prokurorisë dhe mediave që të mos heshtin e “të mos ulin kokën para presioneve të pushtetit”.

Më tej, Basha ka denoncuar edhe rrëmbimin, sipas tij, nga policë me maska të kreut të njësisë numër 5 të Tiranës, Ndriçim Babasi.

FOTO GALERI
3/3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA