Fitorja në Palmira, Assad: Goditje ndaj terrorizmit

27/03/2016 00:00

Presidenti sirian Bashar al Assad përgëzoi ushtrinë për rimarrjen e kontrollit të qytetit Palmirës nga duart e Shtetit Islamik, duke e cilësuar këtë si një arritje të rëndësishme në luftën kundër terrorizmit.

Pretendimet e qeverisë për marrjen e qytetit u konfirmuan edhe nga grupi monitorues Observatori siriane për të Drejtat e Njeriut, sipas të cilit dëgjohen ende krisma armësh në lindje të qytetit, por duket e qartë se forcat e ISIS janë tërhequr nga Palmira.

Ushtria siriane bëri me dije se tashmë ka nën kontroll të gjithë qytetin, qoftë pjesën antike apo atë moderne të tij. Që prej ditësh ushtria siriane shënonte përparim në frontin e Palmirës, e mbështetur edhe nga sulmet ajrore ruse. Presidenti sirian Assad tha se fitorja në Palmira tregon suksesin e strategjisë së ushtrisë.

Komentet e tij u bënë në prani të një grupi deputetësh francezë që po vizitojnë vendin dhe u transmetuan në televizionin shtetëror.

Sipas analistëve, suksesi në Palmira është jo vetëm një fitore në terren, por edhe në diplomaci për presidentin Assad, i cili kërkon që t’i tregojë botës se është një partner në luftën kundër terrorizmit.

Me Palmirën në kontroll, qeveria siriane përforcon pozicionin e saj në bisedimet e paqes në Gjenevë dhe Assad përpiqet që të shfaqet si një njeri që zgjidh probleme, megjithëse janë të shumtë ata që mendojnë se ai është problemi.

Ndërkohë, mësohet se ka nisur organizimi i grupeve të ekspertëve për të verifikuar në terren shkatërrimin që Shteti Islami ka shkaktuar në qytetin e lashtë të Palmirës, ku në shumë video militantët shfaqeshin duke shkatërruar tempujt dhe monumentet mijëra vjeçare.

Në pamjet e para të transmetuara pas mbërritjes së ushtrisë në Palmira, duket qartë se ISIS ka ushtruar ndaj monumenteve antike të njëjtën dhunë që ka rezervuar edhe ndaj armiqve të tij dhe shtrirja e dëmeve është katastrofike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA