PD, protestë në Kavajë: Jo oligarkisë së krimit dhe korrupsionit

26/03/2016 21:50

Mijëra qytetarë të Kavajës morën pjesë pasditen e së shtunës, në sheshin kryesor të qytetit, në një protestë të organizuar nga Partia Demokratike, kundër asaj që ky subjekt politik e quajti “oligarkia e krimit”.

Protesta u mbajt ditën e 26-vjetorit të demonstratës së parë antikomuniste në Shqipëri, që ndodhi në Kavajë.

Kryetari i grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka vlerësoi qytetarët e Kavajës që u ngritën të parët kundër diktaturës dhe shtoi se, 26 Marsi nuk i përket vetëm Kavajës por mbarë Shqipërisë.

Por, u shpreh Paloka, 26 vjet më pas shqiptarët përballen sërish me një regjim oligarkik e kriminal, që duhet rrëzuar, sipas tij, një orë e më parë.

“Sot jemi mbledhur këtu jo thjesht për të përkujtuar 26 Marsin, por për të përkujtuar atë që më 26 mars për herë të parë ndodhi në Shqipëri. Filloi këtu në Kavajë. E hodhën frikën, u përplasën me diktaturën më të egër në Europë. Njerëzit më trima që dolën nga ky qytet u përplasën me diktaturën më të ndryrë që kishte njohur ndonjëherë Europa. Kur erdha, pash një slogan: 26 Marsi, dita e Kavajës. Kjo datë nuk është thjeshtë dita e Kavajës por është dita e gjithë shqiptarëve, sepse këtu filloi përmbysja e diktaturës që kishte nënshtruar për 50 vjet një popull që kishte vuajtur varfërinë, vrasjet, burgjet, vraste e një diktature. Për fat të keq pas kaq kohësh, kur ju dhe ne arritëm të fitonim lirinë dhe demokracinë, na duhet edhe njëherë të përballemi me të njëjtën situatë”, tha Paloka.

Ndërsa kryetari i PD në Kavajë, Engjëll Cara shprehu mirënjohen e thëllë për bashkëqytetarët e tij për protestën e parë antikomuniste në Shqipëri, por theksoi se, “kjo datë është edhe sot një ditë proteste”. Ai ftoi qytetarët e Kavajës për të protestuar sërish kundër asaj që e quajti “diktaturë të re”. 

Top Channel