Nënat e terroristëve: Janë problemet sociale që i largojnë prej nesh

26/03/2016 00:00

Djemtë e tyre kanë lindur e janë rritur në Belgjikë. Janë ata që më vonë u radikalizuan e shkuan të luftojnë për ISIS-in. E paskësaj, kthehen me në mendje masakra si ajo e 22 marsit.

E përjavshmja italiane “L’Espresso” përpiqet ta prekë më nga afër thelbin e mendimit të të shndërruarve në terroristë, dhe këtë e bën duke folur me gratë që i sollën në jetë.

Shtëpi më shtëpi, shkollë më shkollë, qendër më qendër, nënat e xhihadistëve të Molenbekut të konvertuar në islamin e dhunshëm nga një jetë deri më dje laike, kanë vendosur të ndërmarrin betejën e fundit për djemtë e tyre: të arrijnë t’i kuptojnë.

“Harrojeni fenë, janë problemet sociale ato që i largojnë prej nesh”, thotë Jamila Hamdaoui, një prej themelesueve të grupit “Les Parents Concernés” , (Prindërit e shqetësuar).

Këmbëngulja e gazetarëve ka detyruar familje të tëra të shpërngulen, rrëfen ajo. E kanë nisur që prej nëntorit gjuetinë e terroristëve, por nuk interesohen kurrë për realitetin social të kësaj komune. Zonjat anti-xhihad i kanë hyrë në mënyrë frenetike përpjekjeve që të rinjtë me premisën e shndërrimit në luftëtarë të huaj të mos nisen për t’iu bashkuar ISIS-it në Siri e Irak duke blerë kështu një biletë vetëm “shkuarje” drejt varrit të vet.

Nga rrëfimet e atyre që këtë dramë e përjetojnë nga afër e deri tek ekspertë si profesori Fabio Merone i universitetit të Anverës, që të gjithë pajtohen me idenë se ekstremizmi fetar i këtyre të rinjve nuk është gjë tjetër veçse “zemërim i veshur me islam”.

Pikërisht dëshpërimin dhe parehatinë e tyre sociale gjurmojnë reklutuesit e ISIS-it, të cilët gjejnë terren pjellor sidomos tek gjeneratat e dyta, të zhytura në një krizë identiteti që i bën të ndihen të humbur.

Top Channel