Basha-Rama, avaz i vjetër; kreu i PD nuk komenton ironinë e rivalit

26/03/2016 00:00

Kreu i PD, Lulzim Basha ka refuzuar të komentojë ironinë e shprehur një ditë më parë në drejtim të tij nga rivali politik, Edi Rama.

“E mori përgjigjen dje, pyet Elonën”, iu përgjigj ai interesit të Top Channel.

Në fakt, ditë e re, por situatë e vjetër. Ashtu siç ka ndodhur rëndom në muajt e fundit, sa herë është dukur se konsensusi apo kompromisi kanë qenë afër për çështje madhore, si reforma në drejtësi, opozita është tërhequr gjithmonë, me arsye të ndryshme. E fundit, çështja “Suli dhe Leskaj”.

Për kryeministrin Rama, ky ishte një avaz i vjetër.

“Reforma në drejtësi nuk ka lidhje fare as me kërkesat tona, as me ato të opozitës dhe askujt tjetër. Është një reformë e madhe, është një reformë më vete, është një reformë që duan s’duan, të gjithë ata që bëjnë sikur e duan dhe pastaj në fakt nuk e duan, do ta shikoni që do ta votojnë. Të gjitha të tjerat pastaj janë përpjekje për ta penguar, për ta vonuar, për ta shmangur, por janë të gjitha si ajo kënga ‘kërcen prifti nga belaja’”, tha Rama një ditë më parë.

Në fundjavë, kryeministri vetë i la në Tiranë debatet e reformës në drejtësi, për të mbërritur në Berat, ku fokusi ishte bujqësia. Pasi pa nga afër rikonstruksionin e digës së Duhanasit, e cila ka rritur kapacitetin ujëmbledhës dhe shton numrin e hektarëve me ujitje për zonën, Rama u mor me një tjetër ambicje të qeverisë.

“Ajo që duam të arrijmë është që në të gjithë zonën e Beratit, me që jemi në Berat, ta garantojmë që kudo që ka njerëz që punojnë tokën, të kenë ujin dhe që të kenë kullimin. Kjo është gjëja që duhet të arrijmë. Nuk duhet të lëmë asnjë metër tokë pa ujë dhe pa kulluar”, tha ai.

Top Channel