Basha: Papunësia, rritje e pandalshme; s’lë hapësirë për humorin e zi qeveritar

26/03/2016 12:25

Nga kremtimi i 25-vjetorit të themelimit të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, kreu opozitës, Lulzim Basha, akuzoi kryeministrin Edi Rama si njeriun që urren gjithçka të lirë, përfshi sindikatat e pavarura.

Arsyeja sipas tij është pamundësi për t’i kapur e vënë nën kontroll ato.

“Ne kemi një avantazh tjetër, sipas Ramës.Apo më saktë nuk kemi diçka tjetër që,  sipas tij duhet të na bëjë punë. Nuk kemi sindikata! Kjo ishte batuta dhe oferta e Ramës për investitorët italianë. Si është e mundur që kryeministri i nje qeverie që vetëquhet e majtë,ambalozhon  me një shaka të pakripë gëzimin dhe dëshirën e tij që vendi të mos ketë sindikata? Ai dhe kupola që qeveris sot vendin nuk kanë lidhje as me të majtën, as më të djathtën, por vetëm me interesat e tyre të ngushta. Urrejnë opozitën, urrejnë shtypin e lirë, urrejnë organizatat e pavarura të shoqërisë civile, urrejnë institucionet e pavarura, urrejnë sindikatat e pavarura, urrejnëgjithcka që nuk e kapin e nuk e kanë nën kontrollin e tyre”, deklaroi Basha.

Përpara sindikalistëve, Lulzim Basha i vazhdoi kritikat ndaj politikave të qeverisë për punësimin.

“Papunësia reale, edhe sipas INSTAT-it nën kontroll qeveritar është në rritje të pandalshme. Në  fund të vitit 2015 ky tregues u ngjit në zyrtarisht në nivelin 17.7%, por faktikisht siç e dimë të gjithë ne, siç e dini mirë ju, qëndron shumë më lartë. Aksionet e ndërmarra nga qeveria në luftën kundër informalitetit kanë qenë e janë kryekëput klienteliste dhe kanë pasur si pasojë pushimin nga puna të mbi 75 mijë punonjesve vetëm gjate periudhës shtator – tetor të vitit 2015”, u shpreh ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA