Me një minutë heshtje nisi edhe mbledhja e parë e mbajtur në Bruksel pas sulmeve të ditës së martë.
Ministrat e Brendshëm dhe ata të Drejtësisë së Bashkimit Europian, u mblodhën në një takim emergjent në Bruksel ku u zotuan për të përshpejtuar të gjithë procedurat e lëna pezull ,për sa i përket ndarjes së informacionit që ka Inteligjenca europiane për terroristët. Shpërthimet e Brukselit shfaqën haptazi pamjaftueshmërinë e bashkëpunimit europian sa i përket sigurisë.
Thirrja e përbashkët e ministrave të Brendshëm ishte unanime: “Bashkëpunim më i madh. Është thelbësore që Sistemi i Informacionit të Zonës Shengen të ushqehet nga të gjitha vendet e Bashkimit Europian, deklaroi ministri i Brendshëm francez, Bernard Kaznev.
Këtë e përforcoi edhe homologu i tij gjerman, Thomas De Maizere, i cili deklaroi se shkëmbimi i informacionit në lidhje me sigurinë në mesin e shteteve anëtare ka nevoje të përforcohet.
Shtetet anëtare dhe ligjvënësit e BE-së arritën ne marrëveshjen për regjistrimin e të dhënave të pasagjerëve, por miratimi përfundimtar i ligjit do të bëhet në Parlamentin Europian. De Maiziere i kërkoi Parlamentit të ratifikojë marrëveshjen si një çështje urgjente.
Ndërkohë, drejtori i Europol, Rob Wainwright, shprehu shqetësimin e thellë se ISIS është një rrjet më i madh sesa ata vetë e parashikonin.
“Militantët kanë fuqinë për të trembur 500 milionë qytetarët e Bashkimit Europian”, shtoi ai.
“Është e vështirë të kuptojmë sa terroristë janë aktivë për të përgatitur sulme në Europë, por jemi të shqetësuar se komuniteti prej 5 mijë personash që kanë udhëtuar në Irak dhe Siri , ndoshta jo të gjithë, por një pjesë e tyre janë kthyer mbrapsht. Kjo kërcënon jo vetëm Francën dhe Belgjikën, por një numër shtetesh europiane në të njëjtën kohë”, tha Rob Wainwright.
Top Channel