Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Rusia kanë rënë dakord që të synojnë krijimin e një versioni paraprak të një kushtetute të re për Sirinë deri në gusht.
Kështu deklaroi kryediplomati amerikan John Kerry pasi zhvilloi disa orë bisedime në Kremlin me presidentin rus Vladimir Putin. Ai gjithashtu tha se dy vendet ranë dakord që të bëjnë presion mbi qeverinë siriane dhe rebelët për të përshpejtuar bisedimet për tranzicionin politik. Të enjten u mbyll një raund jozyrtar bisedimesh mes qeverisë siriane dhe opozitës në Gjenevë.
Megjithëse publikisht nuk u raportua asnjë përparim, i dërguari i OKB-së për Sirinë, Stafn De Mistura tha se është gjetur terren i përbashkët mes palëve. Në kuadër të përpjekjeve për Sirinë, Kerry mbërriti në Rusi 10 ditë pasi presidenti Putin tërhoqi shumicën e forcave nga ky vend.
“Ramë dakord për të vendosur afate për përcaktimin e një kornize për tranzicionin politik dhe gjithashtu krjimin e një draft kushtetute deri në gusht”, deklaroi Kerry. Megjithatë, ai nuk pranoi të thoshte nëse në bisedime me Putinin u diskutua e ardhmja e presidentit sirian Bashar al-Assad. Por Kerry tha se Assad duhej të bëj gjënë e duhur dhe të angazhohet në bisedimet e paqes.
Fjalët e Kerryt u përforcuan nga homologu i tij rus Sergei Lavrov, i cili tha se Rusia dhe SHBA-ja, veç presionit mbi palët ndërluftuese që të angazhohen në bisedime, do të përpiqen që të ruajnë sa më gjatë armëpushimin.
Top Channel