Të paktën 29 persona janë vrarë në një sulm vetëvrasës të ndodhur në një park në qytetin Iskandarija të Irakut.
Autoritetet lokale njoftuan se atentatori i shpërtheu sasitë e eksplozivit në fund të një ndeshjeje futbolli, duke lënë edhe 60 të plagosur.
Iskandarija është një qytet me shumicë shiite, rreth 40 kilometra në jug të kryeqytetit Bagdad. Shteti Islamik mori përsipër përgjegjësinë e sulmit.
ISIS, një grup kryesisht me përbërje sunite që kontrollon zona të konsiderueshme në veri dhe perëndim të Irakut, ka kryer sulme të shumta kundër objektivëve shiitë së fundmi.
Një oficer i policisë lokale deklaroi se atentatori u vetëhodh në erë në mes të turmës, në momentin që trofeu po u dorëzohej fituesve.
Kryetari i bashkisë së qytetit është mes viktimave, raporton ndërkohë agjencia e lajmeve “AFP”, që citon burime mjekësore.
Iskandarija ndodhet në një rajon që dikur quhej “trekëndëshi i vdekjes” dhe ishte prekur rëndë nga dhuna sektare, që arriti kulmin pas pushtimit amerikan të vitit 2003.
Top Channel