Hayden: Disa vende me standarde të dobëta e bëjnë të cënueshme sigurinë në BE

25/03/2016 00:00

Ish-drejtori i CIA-s, Michael Hayden është zëri më i fundit, që u bashkohet diskutimeve nëse Britania e Madhe do të jetë apo jo më e sigurtë me qëndrimin në Bashkimin Europian.

Këndvështrimi i Haydenit nuk është fort favorizues për bllokun. Unioni, – i tha ai BBC-së, – ndonjëherë i pengon vet shërbimet e sigurisë. Nuk mund ta quaj një “kontribues të natyrshëm për sigurinë kombëtare”.

Përpara pohimeve të Haydenit, Sekretarja britanike e Çështjeve të Brendshme, Theresa May ishte shprehur se, në frontin e sigurisë ka plot arsye për të mos dalë nga BE-ja.

Por sulmet e së martës në Bruksel u përkthyen menjëherë nga udhëheqësi i UKIP-it, Nigel Farage, si dështim i politikës kufitare europiane, që solli – sipas tij, – lëvizjen e lirë të terroristëve, bandave kriminaleve dhe kallashnikovëve.

Hayden tha për BBC-në se, standardet e sigurisë nëpër Europë nuk janë të njëjta.

“Franca dhe Britania kanë shërbime mjaft të mira. Të mira janë edhe në vendet skandinave, por më të reduktura. Pjesa tjetër e Europës, dhe Belgjika në veçanti, i ka shërbimet e sigurisë të vogla, pa burime të mjaftueshme dhe ligjërisht të kufizuara, e që për më tepër duhet të punojnë për një ekzekutiv, i cili ndeshet me sfidat e veta të qeverisjes”, tha Michael Hayden, ish-shef i CIA-s.

Referendumi mbi qëndrimin ose jo të Britanisë në BE mbahet më 23 qershor dhe, pas ngjarjeve të fundit, argumenti kyç i sigurisë ka fituar edhe më shumë peshë, me mbështetësit e qëndrimit që thonë se, BE-ja e bën Mbretërinë e Bashkuar më të sigurtë, dhe kampin “Jo” që pretendon pikërisht të kundërtën.

Top Channel