Greqi, nis evakuimi i kampit të Idomenit, në kufirin me Maqedoninë

25/03/2016 00:00

Μbërritja e 20 autobusëve pranë fshatit Idomeni, në kufijtë e Greqisë me ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, konsiderohet si fillimi i një operacioni për evakuimin e këtij kampi provizor, në të cilin numërohen mbi 12 mijë refugjatë që jetojnë në kushte tepër dramatike, duke u përballur me urinë dhe të ftohtin.

Pasi ka filluar informimi i tyre, të paktën 4 autobusë janë mbushur me refugjatët që kërkuan vet të largoheshin, ndërsa  vlerësohet se fillimisht, mbi 1.000 refugjatë do të çohen në Pieria, pranë Katerinës, dhe në Imatia.

Organet greke, ende nuk kanë publikuar detajet e planit të evakuimit, ndërsa ekziston frika e krijimit të konfrontimeve dhe incidenteve, pasi shumica e refugjatëve nuk duan të largohen dhe vazhdojnë të protestojnë, duke kërkuar hapjen e kufijve.

Siç theksojnë media greke, të parët që do të evakuohen janë gratë dhe fëmijët. Zëdhënësi i grupit organizues për refugjatët ka deklaruar se, brenda 20 ditëve do të krijohen 30 mijë vende të reja në kampet e organizuara në të gjithë vendin, për të cilat nuk janë dhënë ende hollësi se ku janë, përveç atyre ekzistuese.

Sipas statistikave të fundit të publikuara nga qeveria greke, në të gjithë vendin numërohen tashmë 49.560 refugjatë, prej tyre 4.680 në ishuj, 13.800 në periferinë e Athinës dhe mbi 28 mijë në Greqinë e veriut.

Top Channel