I dyshuari kryesor i sulmeve të Parisit, Salah Abdeslam ka ndërruar mendje, e tani thotë se nuk do të luftojë kundër ekstradimit nga Belgjika në Francë. Përmes avokatit të tij, Sëen Mary, Abdeslami la të kuptohej se, dëshiron të largohet drejt Frances “sa më shpejt të jetë e mundur”, pasi mendon se atje do të arrijë të shpjegohet më mirë.
Përpara sulmeve të Brukselit, po nëpërmjet Maryt, 26-vjeçari deklaroi se do të luftonte kundër ekstradimit. Avokati i tij pohoi për mediat se, klienti i vet nuk kishte qenë në dijeni të planeve për shpërthime në Bruksel dhe, pas ngjarjes që tronditi kryeqendrën e Europës, ka ndaluar bashkëpunimin me policinë.
“Çështja është se, tani ai kërkon të kthehet mbrapsht. Do që të shkojë në Francë sa më shpejt të jetë e mundur. Për sulmet nuk ka thënë asgjë, është krejtësisht i izoluar. Nuk ka as televizion e as radio”, tha Sëen Mary, avokati mbrojtës i Salah Abdeslam.
I dyshuari kyç i masakrës së Parisit, ku humbën jetën 130 vetë, u arrestua të premten në Bruksel. Sulmet e së martës në kryeqytetin belg besohet të kenë lidhje me rrjetin, që organizoi sulmet në Francë, si dhe me vet prangosjen e Abdeslamit.
Të plagosurit e terrorit, disa ende në gjendje të rëndë. Viktimat mund të shtohen
Pas shpërthimeve të përpara dy ditëve, që vranë 31 persona, me dhjetëra vetë vazhdojnë të jenë në terapi intensive.
Nga 300 njerëzit e plagosur atë ditë, 61 janë në gjendje kritike për jetën dhe autoritetet nuk e përjashtojnë mundësinë e një rëndimi të mëtejshëm të bilancit të vdekjeve.
Ministrja belge e Shëndetësisë, Maggie de Block sqaroi përmes një deklarate se, të lënduarit janë të 40 kombësive të ndryshme dhe 150 po trajtohen ende në spitale anembanë vendit.
Prokurorët konfirmuan një ditë më parë se, dy prej 4 sulmuesve ishin vëllezërit Khalid dhe Brahim el-Bakraoui. Dy agresorët e tjerë ende nuk e kanë zyrtarisht një emër.
Top Channel