Poloni, kryeministrja Szydlo: Nuk duam më emigrantë

24/03/2016 00:00

Pas sulmeve në Europë, përgjegjësitë për të cilat i ka marrë ISIS, ekziston rreziku që frika e qytetarëve europianë dhe jo vetëm, të gjenerojë në një ndjenjë të fortë kundër emigrantëve.

Këtë e ka konfirmuar edhe kryeministrja polake, Beata Szydlo, e cila gjatë një interviste televizive tha se pas ngjarjeve të Brukselit nuk ishin më dakord për të pranuar asnjë grup emigrantësh në vend. Deri më tani Polonia kishte pranuar të strehonte rreth 7 mijë emigrantë.

Këtë frikë kishte edhe Presidenti amerikan, Barack Obama, kur pranoi se identifikimi i një numri të caktuar personash që përzihen me turmën e që shpërthejnë bomba, është i vështirë.

Numri një i Uashingtonit këmbënguli se një vështirësi e tillë nuk mund të justifikojë racizmin apo përjashtimin e komuniteteve të caktuara.

Ndërkohë, ministrat e Brendshëm e të Drejtësisë së Bashkimit Europian do të mblidhen të enjten, në orën 16:00 në Bruksel për të përcaktuar një strategji të përbashkët pas sulmeve në kryeqytetin belg.

“Nëse Europa do të kishte implementuar masat e vendosura në 2015, do të ishim përballur në mënyrë më të efektshme me situatën”, ishte vërejtja e komisionerit europian për emigracionin, Dimitris Avramopoulos.

Në të njëjtën linjë ka qenë edhe presidenti i ekzekutivit të BE-së, Jean Claude Juncker, i cili në krah të kryeministrit francez, Manuel Val, tha se nuk e kuptonte se përse bashkëpunimi mes shërbimeve sekrete europiane i vendosur pas sulmeve terroriste në SHBA, nuk kishte funksionuar.

Top Channel