Maqedoni, gjyqtarët në grevë treditore: Të tërhiqet ligji dhe rritje page

24/03/2016 00:00

Nëpunësit e Administratës Gjyqësore në Maqedoni janë futur në një grevë treditore, të pakënaqur me ligjin për shërbimet gjyqësore. Ata i kanë bërë thirrje qeverisë që ta tërheqë këtë ligj, ndërsa kanë kërkuar edhe rritjen e pagave me 5 për qind.

“Kërkesat tona janë të njëjta prej 2 vitesh. Kërkojmë që të tërhiqet ligji për shërbimet gjyqësore, që është sjellë në një procedurë jotransparente, pa konsultime dhe pa pëlqimin e sindikatës. Por, më e rëndësishmja është se, ligji nuk është në përputhje me Kushtetutën dhe është i pazbatueshëm. Megjithatë, qeveria nuk dëshiron ta dëgjojë zërin tonë”, tha Peco Grujovski, kryetar i Sindikatës së punonjësve të sistemit gjyqësor.

Grevistët kërkojnë edhe kthimin e orarit të vjetër të punës, nga ora 7:30 deri në orën 15:00. Ata do të protestojnë të premten para selisë së Qeverisë dhe Kuvendit në Shkup.

“Ne do të vazhdojmë dhe nuk do të heqim dorë nga kërkesat tona. Kemi një strategji dhe gjithçka që bëjmë është në marrëveshje me anëtarët e sindikatës. Hapat e tjera mund të jenë grevë pa afat deri në përmbushjen e kërkesave, apo protesta masive”, tha më tej Peco Grujovski.

Deri të premten, nëpunësit e Administratës Gjyqësore do të pranojnë vetëm lëndët urgjente.

Top Channel