KESH kërkon 218 milionë euro kredi me interes të ulët

24/03/2016 00:00

Për të shlyer borxhin që u ka bankave të nivelit të dytë, Koorporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) do të marrë një kredi prej 218 milionë eurosh nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Borxhi i akumuluar në formën e huave afatshkurtra, për blerjen e energjisë elektrike gjatë viteve 2007-2013, në total është 250 milionë euro, por pjesa që do të shlyhet menjëherë si formë e ristrukturimit të kredisë është ajo me garanci qeveritare.

“Synohet që të ristrukturohet duke e transformuar atë në një linjë afatgjatë pranë BERZH-it, me një plan shlyerjeje nga 10 deri në 15 vite”, thotë Ani Spahiu, drejtoreshë e Divizionit të Menaxhimit Strategjik.

KESH thotë se, shlyerja e borxhit është një mision i pamundur, ose do të kërkonte një rritje të tarifës, që do të përkthehej në rritje të çmimit të energjisë për konsumatorin përfundimtar. Ndaj, kredia ishte e vetmja zgjidhje.

“Nëse ky projekt do të marrë aprovimin nga BERZH, duke ulur ndjeshëm normat e interesit në rreth 2 apo 2.5 për qind, do të parashikohet edhe shlyerja graduale e principalit. Ndërkohë që aktualisht, ne paguajmë vetëm kostot e interesave për ‘overdraft’-in”, tha Ani Spahiu.

Sa i përket pjesës së mbetur të huasë prej 32 milionë eurosh, pa garanci qeveritare, KESH thotë se do ta shlyejë pjesërisht nga performanca e Entit dhe shlyerja e borxheve të prapambetura nga OSHEE.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA