Maqedoni, Ivanov: Janë mbyllur rrugët drejt BE-së për refugjatët

21/03/2016 00:00

Presidenti maqedonas, George Ivanov bëri të ditur se refugjatëve nga Lindja e Mesme duhet t’u dërgohet porosi e qartë se, për ta, rrugët drejt BE-së janë të mbyllura.

Këtë, ai e sheh si një mënyrë për zgjidhjen e krizës, megjithatë, në këtë drejtim ai vlerëson se, e domosdoshme është që të kthehet paqja në vendet e origjinës së refugjatëve dhe të krijohen kushte për zhvillim ekonomik.

“Fillimisht është e domosdoshme të dërgohet një porosi e qartë se, korridoret për refugjatët janë të mbyllura. Marrëveshja mes Turqisë dhe BE-së është një porosi e tillë. Por, shtetet e kanë të detyrueshme me patjetër ta respektojnë marrëveshjen dhe të ndërtojnë pozicione të përbashkëta”, tha George Ivanov, President i Maqedonisë.

Gjatë një konference të organizuar për refugjatët në Akademinë e Shkencës dhe Arteve në Shkup, Ivanov nuk ka kursyer kritikat për Bashkimin Europian. Ai tha se, duhej të kalonin një milion emigrantë, që Europa të kuptojë rolin dhe rëndësinë e Ballkanit.

“Burokratët në Bruksel nuk kanë lexuar mjaftueshëm histori dhe gjeografi, prandaj një pjesë të këtij korridori e kanë lënë jashtë Bashkimit Europian. Pikërisht për këtë ndodhën ngjarjet, me të cilat u ballafaquam në të kaluarën”, deklaroi më tej George Ivanov.

Sipas presidentit maqedonas, 90 për qind e refugjatëve që kanë kaluar nëpër Maqedoni, kanë shfrytëzuar shërbimet nga grupet kriminale. Ivanov tha se, këto struktura kanë përfituar nga refugjatët 6 miliardë euro vetëm në vitin e kaluar.

Top Channel