Referendum për projektet e bashkisë, KQZ nis shqyrtimin

19/03/2016 00:00

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nisi shqyrtimin e kërkesës për referendum lokal, lidhur me tre projekte të Bashkisë së Tiranës, konkretisht ndërtimin e një parkingu për automjetet në parkun Rinia, ndërtimin e këndit të lojrave në parkun e Liqenit Artificial dhe ndërtimin e disa godinave në krah të ndërtesës së Universitetit Politeknik, në sheshin Nënë Tereza.

Në mbledhjen e kësaj të hëne, anëtarët nisën shqyrtimin e kërkesës për ndërtimin e parkingut në parkun Rinia. Palët u përplasën me argumenta tek formulimi i pyetjes, e cila sipas anëtarëve të majtë ka përplasje me disa nene të Kushtetutës.

Denar Biba tha se, pyetja në referendum duhet të ketë për bazë një çështje, pra ndërtimin ose jo të parkingut në këtë hapësirë të gjelbërt. Ndërkohë që grupi nismëtar ka bërë pjesë të pyetjes për referendum edhe vendimin e Këshillit Bashkiak nëpërmjet të cilit parashikohet ndërtimi i tij.

Të djathtët në komision argumentuan se shfuqizimi i ndërtimit me votën e qytetarëve automatikisht do të shfuqizonte si rrjedhojë edhe vendimin e Këshillit Bashkiak, gjë që për ta nuk bie në kundërshtim me Kushtetutën.

Komisioni nuk votoi asnjë nga kërkesat për referendum, por në mbledhjen e ardhshme do të shqyrtohen dy pikat e radhës për referendum sa i takon dy projekteve të tjera të Bashkisë së Tiranës, atë të këndit të lojrave në parkun e Liqenit dhe ndërtimet në krah të godinës së Universitetit Politeknik.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA