
Statistikat tregojnë se aktualisht në burgje dhe paraburgim mbahen 5.300 persona, prej të cilëve gati 3.000 janë të paraburgosur, çka do të thotë se për ta drejtësia nuk ka folur ende.
Për ministrin e Drejtësisë, Ylli Manjani, ky shqetësim është në kufijtë e një skandali. “Më shumë se gjysma e personave të izoluar janë të padënuar ende, pra nën hetim. Që do të thotë se drejtësia penale ka probleme. Që të mos i vë një emër tjetër, sepse duhet të jem politikisht korrekt, po them që ka probleme”, deklaroi Manjani.
Nga ana e tyre, avokatët penalistë shohin korrupsionin si shkaktar të zvarritjeve gjyqësore. “Ka prokurorë që ndërtojnë pallate, nuk shkojnë në gjyq dhe i duhet gjykatës që t’i telefonojë për të vajtur në seanca gjyqësore”, deklaroi avokati Saimir Visha.
Duke kërkuar një drejtësi efikase për qytetarët, përfaqësuesi i opozitës e gjithashtu një nga ekspertët e reformës në drejtësi, Enkelejd Alibeaj e konsideroi këtë reformë si një test.
“Do të ngremë apo jo Prokurorinë Speciale, apo Byronë Kombëtare të Hetimit? Dy të tretat, tre të pestat? Këto janë histori dhe mjete që duhet të arrijnë një qëllim: a do kemi një drejtësi të dhënies së një drejtësie të shpejtë, të drejtë e të barabartë?”, u shpreh Alibeaj.
Ndërkohë, në përfundim të takimit, ministri Manjani i kërkoi ndjesë Francës për lirimin e trafikantit të drogës, duke u shprehur në një zë me ambasadorin francez në Tiranë. “Jam krejtësisht me ambasadorin francez. Totalisht ndjesë publike për këtë sjellje, sepse duhet ta tregojmë si shtet, si komb si shoqëri”, tha Manjani.
Ndërsa kryeprokurori Adriatik Llalla shpjegoi motivet për lëvizjet në strukturat e prokurorisë dhe shkarkimet. “Ndryshimet janë bërë pas analizave vjetore në të gjitha prokuroritë e vendit. Aty ku u konstatuan problematika, drejtuesve iu kërkua të largoheshin, ose vetë ata ishin koshient dhe dhanë dorëheqjen nga drejtimi i këtyre institucioneve”, tha Llalla.
Top Channel