Rama te Obama, vizitë zyrtare në Shtëpinë e Bardhë

18/03/2016 00:00

Edi Rama e ka takuar disa herë presidentin e Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, por asnjëherë si i ftuari i tij zyrtar. Për këtë do t’i duhet të presë deri në mes të muajit prill, kur ai të realizojë vizitën më të rëndësishme të mandatit të parë qeverisës.

Burime të Top Channel kanë mësuar se më 13 dhe 14 prill, Rama do zhvillojë një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara, me ftesë të Shtëpisë së Bardhë.

Është ende herët të flitet për detajet e axhendës së kryeministrit në Uashington, por burimet saktësojnë se, zoti Rama do të ketë takime me presidentin Obama dhe zëvendës presidentin Joe Biden.

Kjo është vizita e parë zyrtare e Ramës në Uashington dhe takimi i parë i nivelit më të lartë që zhvillohet në godinën më të rëndësishme të Shteteve të Bashkuara, pikërisht në Shtëpinë e Bardhë.

Në mesin e muajit shkurt Shqipëria u vizitua nga sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, i cili në emër të presidentit Obama i shprehu kryeministrit Rama mirënjohjen për lidershipin në mbrojtje të interesave të përbashkëta.

Mesa duket, ajo që Kerry e përkufizoi në shkurt si “lëvizje e Shqipërisë në drejtimin e duhur”, tani po konkretizohet me vizitën e kryeministrit Rama në Shtëpinë e Bardhë. 

Top Channel