PD, Vokshi: Kriza e rëndë në shëndetësi, pasojë e vjedhjeve

18/03/2016 00:00

Deputetja e Partisë Demokratike, kryetare e Komisionit Parlamentar për Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, Albana Vokshi denoncoi sot krizën e rëndë në shëndetësi në një bashkëbisedim me gazetarët.

Vokshi gjeti rastin të vlerësojë mediat në betejën që është bërë për të denoncuar “korrupsionin galopant” në shëndetësi.

“Së pari përgëzoj mediat, që pavarësisht presionit qeveritar kanë raportuar profesionalisht dhe hulumtuar korrupsionin në shëndetësi, si afera më e përfolur shtetërore, ku janë përlyer kryeministri, sponsorët e tij dhe ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj”, tha Vokshi.

Për të mbuluar vjedhjen në shëndetësi, tha deputetja e PD, është investuar gjithë qeveria dhe “vetëm ata që i dalin padashje nga rreshti tregojnë të vërtetën”.

“Pa dashje, dje drejtoresha e Fondit për Kujdesin Shëndetësor pranoi që çmimet e ilaceve janë ulur 12 për qind, ndërkohë që prej dy vitesh kryeministri dhe ministri mashtrojnë që çmimet e barnave janë ulur me 30 për qind”, u shpreh Vokshi.

Ajo u ndal edhe tek analiza vjetore e Fondit të Detyrueshëm të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetesor, për të cilin tha se, “është institucioni i goditur më së shumti nga skandale të mëdha në fushën e rimbursimit të barnave, që është gërryer nga keqadminsitrimi, konflikti i interesit dhe korrupsioni”.

“Është papërgjegjshmëri totale dhe shenjë e qartë se shkaktarët e vërtetë të abuzimeve janë qeveritarët dhe krerët e fondit, fakti që raporti vjetor i këtij institucioni përmend përciptazi megaskandalin me rimbursimin e faturave dhe recetave fiktive, duke fshehur autorët dhe urdhëruesit e vërtetë. Fshehja e qëllimshme e faqeve të fundit të raportit të Auditit të Kryeministrit, moszbatimi i masave të propozuara në të, moshetimi i rastit të abuzimeve marramendëse me rimbursimin të insulinave, ketosterilit dhe barnave të tjera të shtrenjta është dëshmi e qartë se urdhëruesit e këtyre aferave janë ende në pushtet si përfaqësues të mafias së ilaçeve”, theksoi Vokshi.

Top Channel