
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta zhvilloi një drekë pune me komisionerin e BE për Migrimin, Dimitris Avramopoulos, me të cilin bisedoi rreth krizës së refugjatëve dhe mbi forcimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë evropiane.
Sa i takon çështjes së emigrantëve, Meta vuri në dukje se kjo është një krizë e papreçedentë, që kërkon një përqasje më të koordinuar evropiane.
“Shqipëria është një vend evropian dhe si i tillë do të kontribuojë në përballimin e kësaj krize me solidaritet dhe përgjegjësi evropiane, brenda kapaciteteve të saj”, tha Meta.
Ai nënvizoi se, Shqipëria është e gatshme të kontribuojë në bashkëpunim të ngushtë me partnerët e saj evropianë, “duke përforcuar njëkohësisht kapacitetet e saj humanitare, strukturat e sigurisë, inteligjencës, regjistrimit dhe vetimit të refugjatëve që mund të kalojnë nga territori i saj”.
Nga ana e tij, komisioneri Avramopoulos shprehu mirënjohjen për qëndrimet dhe gatishmërinë e autoriteteve shqiptare dhe vuri në dukje se Shqipëria ka jo vetëm një eksperiencë të gjerë historike në përballimin e krizave humanitare, por edhe një përqasje evropiane ndaj krizës aktuale që ka prekur rajonin dhe vendet e tjera të BE-së.
Në përfundim, z. Meta dhe z. Avramopoulos biseduan edhe mbi luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe trafiqeve, duke ndarë bindjen se miratimi i ndryshimeve kushtetuese për reformimin e sistemit të drejtësisë do të sjellë rezultat.
Top Channel